Vdes “Traktori”, një nga bosët më famëkeq të mafies siciliane
Vdiq në moshën 83-vjeçare Bernardo Provenzano, një nga bosët më famëkeq të mafies siciliane, i njohur në mbarë botën për veprat mizore dhe një sërë vrasjesh.
Ai vdiq në një spital të Milanos. Prej vitesh ish-mafiozi ishte diagnostikuar me kancer në rrugët urinare.
Provenzano thirrej në mjediset e mafias italiane me pseudonimin “U Tratturi”, “Traktori”, pasi njihej për torturat e njerëzve duke i goditur e shtypur nga këmbët.
Së bashku me Salvatore Rinën, Provenzano u ngjit në majë të “Cosa Nostrës”, duke eliminuar thuajse të gjithë kryemafiozët që u dilnin përpara.
Të dy mbajnë firmën për disa nga krime më gjakatare ndaj zyrtarëve të lartë të shtetit. Ai drejtoi mafien italiane prej vitit 1993, kur u arrestua ish-bosi Salvatore Riina. Ndërsa u arrestua në prill të 2006-ës në një fermë në Koerleone, në fshatin e origjinës, pas 43 vitesh në arrati.
Bernardo Provenzano vuante dënimin me burgim të përjetshëm në burgun e sigurisë së lartë në Palermo. /TV KLAN