Veliaj: “Arena Kombëtare” do të rigjallërojë jetën e kryeqytetit


Veliaj: “Arena Kombëtare” do të rigjallërojë jetën e kryeqytetit

12:46 23/11/2016

Ndërtimi i stadiumit “Arena Kombëtare” në kryeqytet po vijon me ritme të shpejta. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi punimet që në fund të 18 muajve do t’i japin kryeqytetit stadiumin e ri, i cili do t’i shërbejë jo vetëm skuadrës së Kombëtares, por edhe si qendër multifunksionale për qytetarët, shërbime dhe argëtim gjatë gjithë ditëve të javës.

Kryebashkiaku Veliaj theksoi se ndërtimi i stadiumit, jo vetëm do të rigjallërojë jetën e kryeqytetit, por do të garantojë edhe 4 sheshe të reja dhe 300 vende parkimi.

arena1

Kryebashkiaku shtoi se investime të tilla kanë një impakt të drejtpërdrejtë edhe në rritjen e vlerës së pronës për qytetarët, ndërkohë që theksoi se kantieri ku po punohet për stadiumin e ri ka krijuar edhe vende të reja pune.

Ai u shpreh gjithashtu se investimi për ndërtimin e stadiumit ka ndikuar pozitivisht edhe në të ardhurat e Bashkisë së Tiranës, të cilat janë përkthyer në më shumë investime për qytetarët.

Duke e vlerësuar si një histori suksesi, Veliaj në përfundim të inspektimit theksoi se ky investim do të rigjallërojë një pjesë të rëndësishme të kryeqytetit./tvklan.al





Të ngjashme