Veliaj: Çdo ditë mbarojmë një punë konkrete, qyteti humbet shumë nëse kthehemi pas
Transformimi që ka pësuar Tirana në këto dy vite ka prekur në mënyrë të ndjeshme edhe Njësinë Administrative Nr. 9. Në vijim të turit “Tirana – 2 vjet zgjuar”, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi sot një takim me banorët e kësaj njësie, ku bëri një bilanc të punëve që janë kryer në këto dy vite në këtë zonë. Në fjalën e tij, ai theksoi se bashkia riktheu qytetin në punë, duke realizuar çdo ditë nga një punë konkrete.
“Ne çdo ditë bëjmë nga një punë konkrete për qytetin. Nëse shikoni që bashkia nuk bën nga një punë konkrete çdo ditë, atëherë mbase duhet të mendoni se po na zë gjumi. Ama, për sa kohë që çdo ditë mbarojmë një punë konkrete në qytet, besoj se është vetëm çështje kohe sa të vijmë te lagja jote, te shkalla jote, te pallati yt”
, tha Veliaj. Ai u ndal në mënyrë të veçantë te puna që është bërë me çerdhet, kopshtet e këndet e lojërave, duke theksuar se një qytet që investon për fëmijët e ka të sigurt të ardhmen e vet.
Veliaj u shpreh se investimet për çerdhet, kopshtet dhe këndet e lojërave kanë qenë prioritet i Bashkisë në këto dy vitet e para. “
Një qytet që investon për fëmijët e merr shumë seriozisht të ardhmen e vet. Një qytet që nuk merret me fëmijët dhe bashkia bën vetëm llogari si i dalin zgjedhjet, duke menduar vetëm për zgjedhjet e ardhshme dhe jo për gjeneratën e ardhshme, është një qytet pa të ardhme. Ne kemi vendosur të mos mendojmë për zgjedhjet e ardhshme, por të mendojmë për gjeneratën e ardhshme sepse besojmë se një fushatë e mirë është ajo që ndodh përditë”
, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.
Veliaj u shpreh se këndi i lojërave te Liqeni është shembulli më i mirë se puna e mund dhunën dhe fjalët. “
Në 100 ditë që ndërtuam këndin e lodrave patëm 78 protesta shkatërrimi, tamam si kompleksi i Rozafës: ndërto paradite, prish pasdite, ndërto prapë paradite, prish prapë pasdite. Ndonjëherë, mendojmë se armiku na vjen nga jashtë, nga fuqi të huaja, por jo, e kemi brenda vetes, shqiptarë ne, shqiptarë ata, shqiptarë që ndërtojmë, shqiptarë që shkatërrojnë, shqiptarë që duan që fëmijët të luajnë, shqiptarë që vijnë me pistoletë dhe sot duan prapë të bëhen deputetë të Tiranës. Por lajmi i mirë është së pari, që puna e mund gjithmonë dhunën dhe në datë 1 qershor ne hapëm këndin e parë të lodrave, kurse brenda një viti kemi hapur 17 kënde lodrash në Tiranë”
, shtoi Veliaj.
Kreu i Bashkisë së Tiranës përshëndeti vendimin e gjykatës e cila rrëzoi padinë e Presidentit Bujar Nishani, duke theksuar se ai është një vendim nga i cili më shumë fitojnë fëmijët. “
Gjykata rrëzoi dhe ne fituam në gjykatë kundër presidentit Nishani, i cili vajti të shkatërronte lodrat e fëmijëve. Sot edhe gjykata e rrëzoi presidentin në largim. Në fakt, do isha i padrejtë nëse do të flisja sot, por unë e thashë para një viti, i thashë presidentit, mos u largo me turp, mos hyr në histori si i vetmi president që shkon shkatërron lodrat e fëmijëve, mos e mbyll me turp karrierën tënde politike, mos bëj diçka që nuk do të ta falin fëmijët e këtij qytet. Nuk më dëgjoi dhe sot edhe me vendim gjykate fitojnë fëmijët, fiton e ardhmja, fiton puna”
, theksoi Veliaj.
Duke iu referuar pikërisht sloganit të turit “Tirana- 2 vjet zgjuar” ai theksoi se qyteti falë punës së përditshme ka mundur të gjejë ritmin e vet dhe të ndryshojë çdo ditë e më shumë. Ai u shpreh se të gjitha investimet që ka kryer bashkia në Tiranë, kanë sjellë jo vetëm një përmirësim të jetës së qytetarëve, por edhe rritje të vlerës së pronës. “
Është normale, kur bashkia investon i rritet vlera. Sot këto apartamente vlejnë më shumë sepse ka vlerë ky investim i bashkisë dhe kush mendon se do vijë në Tiranë dhe do blejë një apartament do të ketë çerdhe afër, kopshte afër, kënde lodrash afër, hapësira të mjaftueshme publike. Më vjen mirë që një nga projektet kryesore që prek kufirin ekstrem të zonës tuaj të njësisë 9, unaza e vogël, më në fund pas 25 vitesh bëhet realitet”
, u shpreh kryetari i bashkisë.
Duke u ndalur te investimet e realizuara në këtë njësi, kreu i bashkisë bëri të ditur se ato kanë prekur edhe zonat periferike, siç është ajo e Bregut të Lumit.
“E keni parë si është bërë sot Bregu i Lumit, kemi investuar në njëfarë mënyre që në vitin e fundit nuk kemi pasur 1 përmbytje tre Bregu i Lumit. Më në fund, jo vetëm skarpatë, por edhe bregu po gjelbërohet dhe do të kthehet në një park dhe nga zona më e degjeneruar e Tiranës është në prag të të bërit zona më e preferuar e Tiranës. Për të gjithë ata banorët të ekstremit tjetër të njësisë në njësinë 9 sot do të shohin që prona ka vlerë”,
bëri të ditur Veliaj.
Ai theksoi se puna që ka realizuar Bashkia e Tiranës në këto dy vite tregon më së miri se kur ka vullnet edhe punët bëhen mirë dhe më shpejt. Veliaj siguroi banorët e zonave informale se pas procesit të legalizimit këto zona do i nënshtrohen një procesi investimesh për urbanizim.
“U them të gjithë banorëve te zonat informale, siç qeveria ka punuar për të bërë legalizimin ashtu bashkia do të vazhdojë të punojë për urbanizimin se kur ke letrat por kur ke edhe civilizimin që vjen nga urbanizimi atëherë realisht ka vlerë prona jote. Më vjen mirë në fakt që në atë zonë investimet më të mëdha kanë qenë në ujësjellës”,
u shpreh Veliaj.
Kryetari i bashkisë bëri edhe një prezantim të projekteve kryesore që parashikohen të bëhen në këtë njësi në dy vitet në vazhdim. “
Ndërkohë, janë disa investime që i kemi përgatitur për dy vitet e tjera. Parimi është jo vetëm 2 vjet zgjuar, por 24 orë, të katër vitet zgjuar, dhe ajo që duam të realizojmë në 2 vitet që na kanë mbetur është: rindërtimi i tregut këtu pranë rrugës “Mine Peza” për të sistemuar të gjithë atë hapësirë e cila ka dalë jashtë kontrollit, rikonstruksioni i kopshtin nr. 36 te rruga “Fortuzi”, rikonstruksioni i plotë i shkollës 9-vjeçare “Hasan Vogli”, ndërtimi dhe rikonstruksioni i rrugës që lidh “Reshit Petrelën”
me “Skënder Kosturin”, bëri të ditur Veliaj.
Ai u shpreh se pikërisht për shkak të punës që është bërë, por edhe të projekteve të parashikuara që do bëhen në vitet në vijim, Tirana ka shumë se çfarë të humbasë në rast se më 25 qershor nuk mbështet vazhdimësinë e qeverisjes. Kryebashkiaku ka theksuar se për të kuptuar se sa mund të humbasë vendi është pikërisht shembulli që dha administrata e mëparshme e Bashkisë së Tiranës në menaxhimin e skuadrës së Futboll Klub Tirana.
“Bashkisë së Tiranës, 4 vjet i kishte ngelur sahati, borxhi në Bashkinë e Tiranës 60 milionë euro dhe kur e dëgjoja dje që thoshte, unë do jem kryeministri i ekonomisë, thashë: nëse ky do të bëjë ekonomi siç bëri me Tiranën, nëse doni shembullin më ulëritës të paturpësisë dhe të aftësisë që të gënjesh pa t’u skuq fare fytyra, shembulli më ulëritës ishte sport-klub Tirana. Bashkia e Tiranës kishte një detyrë të paguante borxhin e Lulit. Luli e la Tiranën me 452 milionë lekë borxhe që Bashkia e Tiranës i pagoi një më një. Dhe nëse degradimi nuk do të kishte filluar me borxhet e Lulit, sot Tirana do ishte krejt tjetër. Meritojnë respekt për fitimin e Kupës së Republikës. Sigurisht, nuk dolën mirë në kampionat, por teksa i shoh si po mundohen të përdorin çdo gjë politikisht, u kujtoj tifozëve të Tiranës një gjë: Kush i la me borxhe dhe kush i lau borxhet dhe kjo është diferenca si bëjmë ne ekonomi dhe si bën gjumi ekonomi”
, deklaroi Veliaj./tvklan.al