Veliaj: Do hapet Akademia e Biçikletave
“Mënyra më e shëndetshme për të lëvizur”
Shumë shpejt në vend do të hapet Akademia e Biçikletave. Së bashku me dhjetëra vogëlushe që po mësonin rregullat e qarkullimit në ditën e biçikletave, Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se hapja e Akademisë synon edukimin dhe nxitjen e fëmijëve që të mësojnë rregullat e trafikut rrugor.
“Në bashkëpunim me APR-në, Policinë Bashkiake dhe miqtë e biçikletave në Tiranë do të hapim akademinë e dyrrotakëve; ajo ka ekzistuar në mënyrë periodike, por tani do të jetë permanente, me emrin ‘Akademia e Biçikletës’. Po mësojmë biçikletën edhe në çerdhe e kopsht me rrotat ndihmëse, por duam që, për këdo që nuk e di biçikletën dhe ka dëshirë t’i bashkohet revolucionit të biçikletave, mund të vijë çdo fundjavë”.
Sipas Veliajt, pandemia e Covid-19 me kufizimin e lëvizjes solli edhe ndryshim të stilit të jetesës së qytetarëve.
“Makinën do ta përdorim për të shkuar në Durrës ose në periferi, por për distancat e vogla, tani që janë bërë korsi biçikletash pafund, përdorimi i tyre është mënyra më e shëndetshme për të vijuar jetën në Tiranë. Jam shumë krenar për çunat dhe gocat e Tiranës, nuk janë cinikë, nuk janë dyshues, nuk merren me dogma politike; kur e shohin një gjë të bukur dhe të mirë, e përqafojnë, ndaj besoj se e ardhmja është e tyre”.
Për të patur një mjedis dhe ajër më të pastër, Veliaj tha se edhe Policia Bashkiake po transformohet me makina elektrike.
Tv Klan