Veliaj: Është jetike të qëndrojmë në shtëpi
“Sjellja jonë vendimtare në këtë betejë”
Betejën kundër koronavirusit mund ta fitojmë vetëm duke qëndruar në shtëpi dhe duke zbatuar masat e kufizimit të lëvizjes, ndaj edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj i është drejtuar qytetarëve me apelin për t’i respektuar rregullat e vendosura.
“Asnjë nga këto masa nuk funksionon pa ndihmën
tënde. Kjo do të jetë një betejë e gjatë dhe e vështirë, por duhet ta fitojmë
dhe do ta fitojmë. Kryeministri po bën të vetën, qeveria te vetën, unë do bëj
timen, e duhet që edhe ti të bësh tënden”.
Duke qëndruar në shtëpi e duke reduktuar numrin
e njerëzve të sëmurë në një moment të caktuar, është mënyra më e mirë për të
mos kolapsuar spitalet.
“Mos e
merrni lehtë, kjo është një sëmundje e rrezikshme! Shumica e të infektuarve e
kalojnë këtë sëmundje, por ajo është ekstremisht e rrezikshme për të moshuarit,
apo ata me probleme kronike me shëndetin. Nëse nuk jeni një prej tyre, jam i
sigurt që doni fort njërin prej tyre, që mund të jetë prindi apo gjyshi juaj,
ndaj të gjithë kemi një interes madhor në këtë betejë. Edhe nëse jeni i ri apo
e re dhe me risk të vogël, mund të jeni bartës për te gjyshi a prindi në moshë,
të cilët i rrezikoni seriozisht”.
Për t’ju ardhur në ndihmë personelit shëndetësor bashkia ka vendosur në dispozicion transport të veçantë.
TvKlan