Veliaj merr pjesë në Forumin Ekonomik të Tiranës


Veliaj merr pjesë në Forumin Ekonomik të Tiranës

18:46 24/01/2018

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, mori pjesë sot në edicionin e parë të Forumit Ekonomik të Tiranës, me temë “Ballkani i së ardhmes: Drejt një përfshirje globale”, ku theksoi se falë mirëadministrimit të ndërmarrjes së UKT-së, jo vetëm që u kalua periudha e vështirë financiare në të cilën u gjend kjo ndërmarrje 3 vite më parë, por njëkohësisht janë rritur investimet dhe përmirësuar cilësia e shërbimit për qytetarët.

 “Një nga kompanitë që po performon më mirë në Bashkinë e Tiranës është kompania e Ujësjellës-Kanalizimeve. Nuk besoj se ka, në historinë e vendit tonë në 27 vjet, një performancë të një kompanie që brenda një viti jo vetëm menaxhohet në mënyrë serioze, por del me fitim. Lind pyetja: Pse na duhen kreditë? Sepse nevoja për investime është disafish se fitimi ynë vjetor. Kemi dy mundësi, ose këtë fitim vjetor në 40 vitet e ardhshme ta investojmë dhe do të kemi ujë 24 orë dhe shërbime të tjera pas 40 vjetësh ose të kemi akses në tregje, që kjo mund të jetë një bursë ose në formë kredish apo partneritete të tjera financiare, ku t’i gëzojmë këto të mira”, tha kryebashkiaku Veliaj.

 Duke u ndalur edhe tek një tjetër projekt i rëndësishëm i Bashkisë së Tiranës, si kreditë e buta, të cilat i dhanë zgjidhje strehimit të një mijë familjeve në kryeqytet, por gjeneroi edhe rreth 60 milionë euro në ekonominë e kryeqytetit, Veliaj shtoi se faza e dytë do të nisë në shkurt. Gjithashtu, një tjetër reformë e ndërmarrë në kryeqytet është edhe ajo e parkimit publik, i cili është transformuar tërësisht, dhe sipas Veliajt, përmes të ardhurave që mblidhen po realizohen një sërë investimesh të rëndësishme për komunitetin, si korsitë e biçikletave dhe mbjellja e pemëve.

 “Parkimi nuk ishte falas, por kishim një ekonomi të zezë. Kurse sot është kthyer në një nga kompanitë që sjell të ardhura për bashkinë. Një pjesë e madhe e gjelbërimit apo e korsive të biçikletave financohet nga kompania e parkimit”, tha kreu i bashkisë, teksa shtoi se bursa si “Bursa Shqiptare e Titujve, ALSE”, kanë potencialin për të ofruar instrumentet që i duhet bashkisë dhe kompanive publike për të rritur kapitalin dhe për të mundësuar investime që në të kundërt do të kërkonin shumë vite kohë.

 Ndërkaq, Veliaj e vuri theksin edhe tek mundësitë që kanë qytetet për të ndikuar pozitivisht në ekonomi dhe në mënyrat për financimin e bashkive që mbiperformojnë. “

Qytetet sot gjithmonë e më shumë po bëhen jashtëzakonisht aktive në terma të peshës dhe muskulit ekonomik që ushtrojnë. Projektet që kemi me partneritet publik-privat, me koncesion, projekte si ato që po bëjmë për shkollat e reja që do ndërtohen në Tiranë, kryeqyteti është sot përgjegjës për injektimin të rreth 500 milionë eurove në vit në ekonomi”

, deklaroi Veliaj.

 Një tjetër pikë në të cilën u ndal kreu i bashkisë ishte dhe nevoja për thithjen e më shumë financimeve për realizimin e projekteve të ndryshme. Veliaj propozoi vendosjen e një minitavani për bashkitë, të cilat performojnë më mirë, sikurse është edhe Bashkia e Tiranës për thithjen e më shumë financave për investime.

/tvklan.al

 

 





Të ngjashme