Veliaj: Nisim aksionin e madh të mbjelljes së pemëve
Bashkia e Tiranës ka nisur pyllëzimin e Liqenit të Farkës ku do të mbillen 450 pemët e para.
Parku i Liqenit të Farkës do të jetë hapësira e dytë më tërheqëse për qytetarët e Tiranës me synim për tu kthyer në parkun e dytë më të madh dhe të frekuentuar të kryeqytetit. Krahas pedonales që do të rrethojë parkun, tashmë ka nisur aksioni për pyllëzimin e plotë të hapësirave rreth liqenit.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, theksoi se mbjellja e pemëve në këtë park do të rrisë, së pari cilësinë e ajrit, por edhe do t’i japë liqenit të Farkës një dimension të ri.
“Së pari, shtojmë gjelbërimin, i cili plotëson një investim të pedonales së Farkës. Pedonalja ka të njëjtat kushte në shërbim dhe pastërti, si te Liqeni i Tiranës, ndaj për banorët e Njësisë 1 dhe 2 vlen një ftesë që ata të shëtisin, së bashku me fëmijët, në Liqenin e Farkës, si një mundësi për të kaluar kohën e lirë apo për t’u marrë me sport e aktivitete të tjera. Kësisoj dyfishojmë hapësirat e argëtimit në kryeqytet, tha Veliaj.
Ai theksoi se mbjellja e pemëve në këtë zonë i shërben objektivit madhor që Bashkia e Tiranës i ka vënë vetes për të krijuar atë që në Planin e Përgjithshëm Vendor njihet si “Pylli Orbital”. “Nuk besoj se ka dhuratë më të mirë për festat e fundvitit për qytetin e Tiranës, se sa ajri i pastër, gjelbërimi dhe hapësira të lira publike. Fillojmë sot në Farkë operacionin më të madh të gjelbërimit të qytetit, ajo që më vonë do të quhet si ‘Pylli Orbital’. Kemi ambicien që në 15 vitet e ardhshme të mbjellim 2 milion pemë. Sot fillojmë me mbjelljen e 450 pemëve të para në liqenin e Farkës”, u shpreh ai./tvklan.al