Përurohet rruga e re që lidh autostradën me Krrabën


Përurohet rruga e re që lidh autostradën me Krrabën

13:55 03/05/2017 https://youtu.be/KKCrxJsrgr0

Merr fund pritja 60 vjeçare e banorëve të Krrabës për një rrugë të re. Bashkia e Tiranës mbajti premtimin duke përfunduar në një kohë rekord rrugën me gjatësi 4 kilometra, e cila lidh autostradën me Krrabën dhe që u shërben afro 3 mijë banorëve. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga deputeti i PS, Xhemal Qefaliaj, inspektoi punimet e kryera dhe theksoi se rruga është një mundësi si për lëvizjen e banorëve të Krrabës, që tregtojnë produktet e tyre bujqësore dhe blektorale në kryeqytet, por edhe për banorët e Tiranës për të zhvilluar turizmin natyror.

“Rruga nuk afron vetëm Krrabën me Tiranën, rruga afron edhe Tiranën me Krrabën. Është një mundësi që jo vetëm qytetarët e Krrabës të shkojnë në Tiranën qytet, por edhe një mundësi fantastike që qytetarët e Tiranës të kalojnë fundjavat në natyrë. Për këtë rrugë janë sajuar edhe lloj-lloj barsaletash, si ajo që rruga e Krrabës është ideale për të nxjerrë gurët nga veshka. Sot nuk është më kështu. Ato 4 km që më parë dukeshin si 400 km, për shkak se nuk qe vënë dorë prej 60 vitesh, sot është realitet”

, theksoi Veliaj.

Ai nënvizoi se rruga, përveçse është mundësi për lëvizshmërinë e njerëzve, do t’i shtojë vlerën zonës, qoftë në investime, ashtu edhe në thithjen e turistëve që duan të vizitojnë bukuritë e zonës.

“Jo vetëm kemi bërë një rrugë që lidh njerëzit, por i kemi shtuar vlerën zonës. Mbaj mend që pas promovimit që i bëmë Shëngjergjit, shumë njerëz nga Tirana filluan ta vizitonin për të jetuar në ajër të pastër, për t’i shpëtuar trafikut, për ushqime bio dhe cilësi jete shumë herë më të mirë. Shpresoj shumë që pas ndërtimit të rrugës, hapi i dytë të jetë promovimi i zonës”,

tha Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se rruga është një tjetër dëshmi se për Bashkinë e Tiranës është detyrim që t’i shërbejë qytetarëve me të njëjtin përkushtim dhe standard si në qendër ashtu edhe në periferi.

“Arsyeja pse u Tirana u bë më e madhe ishte që edhe në zona me pak banorë, ku ka pak fuqi ekonomike, bashkia e madhe të investojë si në Krrabë, Zall-Bastar, Zall-Dajt, në Dajt, në Zall-Herr; si komuna të vogla ato nuk i bënin dot këto investime. Kjo është provë pse ky ishte një vendim i suksesshëm që të gjithë bashkë të bëheshim në Tiranë, pikërisht për të përballuar shpenzime, që veç e veç asnjë komunë nuk i bënte dot”,

u shpreh Veliaj.

Ai njoftoi se për t’u ardhur në ndihmë banorëve të zonave periferike, përveç rrugës që do lehtësojë lëvizjen e banorëve dhe mjeteve, po shikohet mundësia edhe për ndërhyrje të tjera që do ulnin kostot e jetesës.

“Nga dje kam ngritur një grup pune që do të diskutojë uljen e tarifave të autobusit për zonën e Krrabës edhe Baldushkut. E di që ka kosto, por unë gjithashtu e di që ka edhe fitime. Nuk po themi që dikush të falimentojë. Na duhet shërbimi i autobusëve, e dimë që nafta kushton, servisi po ashtu, siguracioni, por besoj se ka një hapësirë në mes ku mund të takohemi, që edhe kompania të ketë një fitim të arsyeshëm, por edhe qytetarët të mos rëndohen, siç janë rënduar gjithë këto vite me vendime që i kanë marrë ish-komunat, e që na i lanë peshqesh për t’i zgjidhur”,

tha Veliaj, duke bërë të ditur se ashtu siç u veprua me linjat urbane, do të nisë kontrolli dhe inspektimi i cilësisë së shërbimit edhe në linjat rurale. 

Nga ana tjetër, ai u shpreh se ashtu siç po veprohet edhe me lagje të tëra në Tiranë, ashtu do të vijojë puna edhe për zonat rurale.

Ashtu siç kemi filluar në Mushqeta, ku po bëjmë rregullimin e lagjeve, ashtu do të vijojmë në çdo fshat të Njësisë Administrative Krrabë. Sigurisht, jo të gjitha bëhen në një ditë, askush nuk e ka ngritur shtëpinë e tij për një ditë, ashtu edhe Tirana, një shtëpi e madhe me 1 milion banorë, nuk ka fund. Rëndësi ka që çdo ditë jemi duke bërë nga një punë konkrete. Nëse vazhdojmë çdo ditë me një rezultat të prekshëm: investime në ujësjellës, kanalizime, në blloqe pallatesh, kënde lodrash, rrugë të reja, shkolla të reja, kopshte e çerdhe të reja, them se jemi në rrugë të mbarë. Kthimi pas do të ishte gabim i rëndë”

, tha Veliaj.

Që kjo punë të vazhdojë, kryetari i bashkisë theksoi se është e nevojshme që çdo qytetar të marrë pjesë në zgjedhje për të votuar vazhdimësinë e këtyre projekteve.

“Kjo është e vetmja mënyrë se si mund të vazhdojmë punën. Shumë kemi bërë, kemi shumë për të bërë akoma, por kemi edhe shumë për të humbur nëse kthehemi mbrapsht. Ndaj nga Krraba, edhe në të gjithë Tiranën, ecim vetëm me marshin përpara, asnjë kthim mbrapsht dhe asnjë kohë për të humbur. E filluam ditën e parë të punës në bashki duke rregulluar orën, jo se nuk kishte punë të tjera, por për të dhënë një sinjal që Tirana s’ka për të humbur jo një ditë, jo një orë, jo një minutë, por asnjë sekondë për punët që e presin përpara”

, shtoi Veliaj.

Rruga Mushqeta-Krrabë ka një gjatësi totale rreth 4 kilometra dhe ajo i shërben afro 3000 banorëve./tvklan.al





Të ngjashme