Veliaj pret Shefik Xhaferoviç
“Është koha të hapim një faqe të re”
Tirana dhe Sarajeva do të forcojnë më tej marrëdhëniet dhe bashkëpunimin mes tyre. Për këtë u angazhuan kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Kryetari i Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Šefik Džaferović, të cilët diskutuan për shtimin e bashkëpunimit, kryesisht në fushën ekonomike dhe atë kulturore.
“E falenderoj shumë presidentin për vizitën dhe frymën e vëllazërisë e miqësisë mes popujve tanë. Jam angazhuar se do të shfrytëzojmë vitin tonë, si Kryeqyteti Evropian i Rinisë, si mundësi fantastike për të pasur më shumë shkëmbime mes të rinjve tanë dhe të rinjve boshnjakë. Tirana dhe Sarajeva e kanë nisur një partneritet – ndoshta Covid19 na e ndërpreu për pak kohë, si një “lemzë” – por, do të rifillojmë me shumë energji bashkëpunimin mes Tiranës dhe Sarajevës, si dy qytetet që kanë e nisur këtë energji bashkëpunimi në rajon”, tha Veliaj.
“Kemi të gjitha mundësitë për të pasur një bashkëpunim më të mirë mes dy vendeve. Është koha që të hapim një faqe të re dhe të ecim përpara, ekonomikisht, politikisht, kulturalisht”, tha Džaferović.
Kryebashkiaku i dhuroi çelësin e Tiranës, ndërsa Džaferović i dorëzoi Veliajt simbolin e Bosnje-Hercegovinës.
Tv Klan