Veliaj: Rikthyem besimin te policia bashkiake
Duke vlerësuar rolin e punonjësit të policisë bashkiake në qytet, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se ky institucion falë reformimit është bërë më i besueshëm për qytetarët.
“Kjo organizatë është transformuar në 42% të saj, do të thotë që nuk kemi hezituar asnjëherë kur punonjësi i uniformës së Bashkisë së Tiranës, e ka poshtëruar uniformën duke kryer një gjest të pahijshëm. Unë do të doja që të vazhdonim me integritetin që kemi treguar, ama nuk do të hezitojmë aspak që midis një qytetari që ka të drejtë dhe një punonjësi të Policisë Bashkiake që ka bërë gabim, sigurisht që do zgjedhim qytetarin”.
Veliaj tha se punonjësit e policisë bashkiake shpëtuan 200 jetë njerëzish gjatë ditëve të acarta me të cilat u përball kryeqyteti.
“Në emergjencat civile të fillim vitit pamë realisht zemrën e Policisë Bashkiake. Kjo s’është detyrë tipike e saj, por duke qenë se rasti ishte atipik dhe emergjenca ishte e një lloji që Tirana s’kishte parë që nga viti ’85, secili prej nesh doli përtej detyrës, punoi me orë të stërgjata në kushte jashtëzakonisht të vështira. Dua t’ju falënderoj sepse shpëtuam 200 jetë njerëzish falë Policisë Bashkiake.”
Për të modernizuar kryeqytetin nga java tjetër do të nisë projekti pilot për pagesat në parking, jo me biletë, por me sms përmes celularit./ TV KLAN