Veliaj: Zhgënjim për Presidentin, u bë palë me partitë
Zhgënjyes ishte për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vendimi i Presidentit të Republikës, Ilir Meta për të kthyer mbrapsht në Kuvend ligjin e posaçëm që i hap rrugën ndërtimit të një Teatri të ri Kombëtar. Në një koment të titulluar “Dy fjalë zemre për “Teatrin” mbi Teatrin e ri”, Kryebashkiaku thotë se Presidenti u bë palë me partitë dhe familjet politike në vend.
“Kthimi nga Presidenti i Ligjit që do t’i jepte Tiranës tonë një Teatër të Ri, modern, i projektuar nga një prej arkitektëve më në zë të gjeneratës sonë, ishte një zhgënjim! Jo sepse Presidentët, në të kaluarën, nuk janë bërë palë me partitë politike për të kundërshtuar projekte si ai i Këndit të Lodrave te Liqeni, por sepse mendova se pas 3 vitesh progres në qytetin tonë, me një Shesh të Ri, një Bulevard të Ri, një Pazar të Ri e një Unazë të Re, e kishim tejkaluar kohën e sabotimeve të qytetit dhe se ishte krijuar pjekuria për të dalë mbi partitë e mbi familjet politike në vend”.
Veliaj heq edhe një paralele për takimet e presidentit Meta me krerë bashkish, të cilat i quan “teatër”.
“Teatri i sotëm në kryeqytet, me kryetarë bashkish nga Kamza e Shkodra, që kanë probleme serioze me funksionimin qyteteve të tyre, mund të na ishte kursyer. I ngjan protestuesve të importuar nga ish-presidenti për Këndin e Lodrave. Të gjithë e dimë si përfundoi ajo betejë: Presidenti u diskreditua në histori si një noter partiak”.
I ashpër është Veliaj edhe me kryetarin e opozitës, Lulzim Basha.
“Ultimatumi prej kalamani të SHQUP-it nga ish-gjumashi i bashkisë së Tiranës, nuk do kalonte dot as një audicion për teatër kukullash. Skenar i qepur keq në parapritje të refuzimit të ligjit, që fyen inteligjencën e kujtdo që i thotë vetes qytetar.”
Sipas Veliajt, në këtë situatë ka edhe një lajm të mirë, pasi ata që janë për zhvillimin janë më të bashkuar ku bëjnë pjesë aktorë, regjisorë dhe qytetarë. Ai shprehet i vendosur për realizmin e projektit që tashmë duhet të presë rimbledhjen e Kuvendit në Shtator.
“Teksa pritëm 40 vjet për një Teatër të ri, do presim edhe 40 ditë që Parlamenti ta rivotojë në shtator e t’i hapë rrugë projektit modern – në tokën e vet e me teknologjinë më të fundit. E mira, e bukura dhe e drejta, herët a vonë, triumfojnë; është vetëm çështje kohe!
Në fund Veliaj thotë se gjatë kësaj kohe do të vazhdojnë përpjekjet e bashkëpunimit me komunitetin teatror për të qenë gati sapo të kalojë ligji.
Tv Klan