BE: Hapja e negociatave sapo Shqipëria të ketë rezultate
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian, të mbledhur këtë të martë në Bruksel kanë aprovuar rezolutën për Shqipërinë, që vlerëson se hapja e negociatave të anëtarësimit do të jetë në varësi të rezultateve konkrete të 5 prioriteve kyçe.
Hapja e negociatave nuk do të kushtëzohet nga data, pasi Komisioni mund të çelë këtë proces sapo të vërejë progres në zbatimin e Reformës së Drejtësisë, me fokus ligjin e Vetting -ut, apo dhe luftën kundër krimit e korrupsionit.
Miroslav Lajçak – Ministër i Kashtëm i Sllovakisë:
“Këshilli dhe Komisioni do të ndjekin nga afër zhvillimet në Shqipëri. Sigurisht, që së pari prioriteti i shkon zbatimit të legjislacionit dhe së dyti, prioriteti i shkon respektimit të vlerave, standarteve dhe parimeve përfshirë zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Për mua personalisht, ajo që është e rëndësishme në konkluzione është fleksibiliteti, që do të thotë që ne nuk jemi peng të kalendarit, por jemi të gatshëm të konsiderojmë progresin në Shqipëri në çfarëdolloj momenti kur të shohim që ka mjaftueshëm fakte dhe prova të progresit”.
Edhe përfaqësues të tjerë të Bashkimit Europain shprehën mbështetje për Shqipërinë.
Bert Koenders – Ministër i Jashtëm i Holandës:
“Për Shqipërinë, ne mbështesim konkluzionet e Këshillit. Ka një rekomandim dhe çelja e negociatave varet nga përmbushja e 5 kritereve që mbeten. Të pesë kriteret janë po aq të rëndësishme. Pastaj Komisioni do të vlerësojë kriteret dhe ne shpresojmë që mund të hedhim hapin tjetër, por varet nga përmbushja e këtyre kritereve”.
Davor Ivo Stier – Ministër i Jashtëm i Kroacisë:
“Ju e dini që ka pesë kushte për t’u plotësuar. Këto janë kushtet e rëndësishme që duhet të përmbushen. Ne si shtete anëtare jemi shumë mbështetës për miqtë tanë shqiptarë. Ne presim, që Shqipëria do të jetë gati shpejt për hapjen e negociatave të anëtarësimit”.
Rezoluta e Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europan merr miratimin përfundimtar nga samiti i krerëve të qeverive të unionit, që mblidhen në 15 Dhjetor në Bruksel.
Tv Klan