Vendet anëtare të NATO-s kundër Macron
“Aleanca mbetet e fortë, ka nevojë për unitet”
Kritikat e presidentit francez Emmanuel Macron ndaj Aleancës së Atlantikut të Veriut, të cilën e cilësoi “klinikisht të vdekur”, ka nxitur reagime të kreut të NATO-s dhe liderëve botërorë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg thekson se Aleanca vijon të mbetet e fortë dhe ka nevojë për unitetin europian.
Më kritike ka qenë Kancelarja e Gjermanisë, Merkel. Ajo tha se deklaratat e Macron ishin “drastike” dhe shumë larg këndvështrimit që ajo ka për bashkëpunimin brenda NATO-s.
“Sinjal të rrezikshëm” e ka cilësuar zv/kryetari i Komisionit të Parlamentit për Punët e Jashtme në Estoni, Marko Mihkelson qëndrimin e Macronit. Ai theksoi se shkatërrimi me qëllim i aleancës së transatlantikut, që ndihmon në mënyrë efektive në përballjen me rreziqet e botës, është qesharake.
Edhe presidenti lituanez, Gitanas Nauseda e gjithashtu Polonia shprehën pakënaqësi dhe shqetësim ndaj deklaratave të Macron. Intervista e tij për The Economist shkaktoi reagime jo vetëm për qëndrimin ndaj NATO-s, por edhe për shtetet e tjera të përmendura.
Konsiderimi i Bosnjes si një “bombë me sahat” dhe burim kryesor i shqetësimeve të Evropës në Ballkan për shkak të “problemit të saj të kthimit të xhihadistëve” bëri që udhëheqësit boshnjakë t’i kërkonin shpjegime ambasadorit francez, duke i quajtur këto deklarata “plotësisht të pabazuara”.
Tv Klan