Vendet e BE-së njohin Guaidon
Ashtu siç kishin paralajmëruar, shumë vende europiane si Gjermania, Britania e Madhe, Franca, Austria e Spanja zyrtarizuan njohjen e Huan Guaidos si President të përkohshëm të Venezuelës. Vendimi erdhi pas skadimit mesnatën mes të dielës dhe të hënës, të ultimatumit që këto vende i vendosën Maduros për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, kërkesë të cilën lideri majtist e refuzoi.
Kryeministri spanjoll Pedro Sançez shpalli njohjen e Guaidos përmes një konference për shtyp. Ndërsa Kryeministra të tjerë europianë e shpallën njohjen përmes Twitter.
Por pavarësisht rezolutës së Parlamentit Europian që kërkoi njohjen nga unioni, Bashkimi Europian e ka të pamundur njohjen zyrtarisht. Sipas mediave, ka qenë zv/kryeministri italian Di Maio ai që ka paralajmëruar veto kundër njohjes së Guaidos, në mbledhjen e të premtes së ministrave të Jashtëm në Bukuresht.
Në një intervistë televizive, Maduro bëri një tjetër paralajmërim të fortë ndaj homologut Trump nëse vendos të ndërhyjë ushtarakisht në Venezuelë.
“Ndalo Donald Tramp. Po bën gabime prej të cilave do t’i lyesh duart me gjak. Po me gjak do t’a lësh Shtëpinë e Bardhë”.
Rrugët e Karakasit dhe qyteteve të tjera u mbushën me manifestues opozitarë, të cilët kërkojnë largimin e Maduros.
Tv Klan