Vendimi i Kushtetueses, a mund të garojë Kurti në zgjedhje?
Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Faton Topalli dhe Donika Kadaj-Bujupi u dënuan me kusht në 2018-n, për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës. Në një kohë kur Gjykata Kushtetuese e rrëzoi qeverinë aktuale të Avdullah Hotit, për shkak të votës së marrë nga deputeti Ethem Arifi, i cili kishte një dënim të formës së prerë nga gjykata, pyetja që shtrohet është nëse ky vendim ndikon në kandidimin e Kurtit në zgjedhjet e parakohshme që pritet të mbahen në vend.
Në një reagim për Radio Evropa e Lirë, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Kryeziu tha se si Kurti, ashtu edhe anëtarja e kryesisë Albulena Haxhiu nuk kanë pasur dënime me burgim, por dënime me kusht dhe këto të fundit nuk kanë efekte juridike, respektivisht pasoja juridike. Kjo sipas tij bën që as Kurti dhe as Haxhiu të mos kenë asnjë pengesa për të qenë pjesë e garës zgjedhore.
“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, përkatësisht pika 2 të këtij aktgjykimi ka ndërlidhur nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme me nenin 70.3 të Kushtetutës së Republikës, pra me rastet e dënuara me një vit e më shumë burgim. Në rastin tonë, përkatësisht në rastin e z.Kurti dhe znj.Haxhiu, ata nuk kanë pasur dënime me burgim, por dënime me kusht, dhe dënimet me kusht nuk kanë efekte juridike, respektivisht pasoja juridike. Prandaj kryetari Kurti dhe anëtarja jonë e kryesisë, znj. Haxhiu nuk kanë asnjë ndalesë për të qenë pjesë e garës zgjedhore”.
Kosova duhet të shkojë jo më larg se 40 ditë në zgjedhje të parakohshme thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili u publikua në orët e vona të mbrëmjes të së hënës. Në vendim thuhet se asnjë person që është i dënuar për ndonjë vepër penale në formë të prerë në tre vjetët e fundit nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitojë mandatin e vlefshëm në Kuvendin e Kosovës.
Qeveria Hoti kishte marrë 61 vota më 3 Qershor kur u votua përfshirë edhe votën e deputetit të pakicave Ethem Arifi, i cili më 20 Gusht të vitit të kaluar kishte një dënim të formës së prerë nga Gjykata./tvklan.al