Venezuela zhytet në errësirë


Venezuela zhytet në errësirë

15:40 08/03/2019

Venezuela është në errësirë totale. Pjesa më e madhe e vendit përballet me ndërprerje të energjisë elektrike. Shkëputja e dritave në kryeqytetin Caracas la pothuajse në errësirë totale gjithë qytetarët mbrëmjen e së enjtes. Mungesa e energjisë elektrike ka bërë që të anulohen fluturimet në Caracas.

Qeveria e Presidentit Nicolas Maduro ka fajësuar opozitën, duke e akuzuar për sabotim. Maduro akuzon liderin e opozitës dhe të vetëshpallur si President, Juan Guaido, se po organizon grusht shteti me ndihmën e “imperialistëve amerikanë”. Nga ana tjetër, Guaido tha se shkëputja e energjisë ka shkaktuar kaos, zemërim dhe shqetësim.

“Kjo është dëshmia e paefektshmërisë së uzurpatorit. Dritat do të rikthehen pasi z.Maduro të largohet nga pushteti”,

tha lideri i opozitës.

Edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo i cili reagoi për situatën e krijuar, fajësoi qeverinë e Maduros.

“S’ka ushqime, s’ka ilaçe, tani s’ka as energji. Më pas, nuk do ketë as Maduro”,

shkroi ai në Twitter.

Energjia elektrike e Venezuelës është e varur nga hidrocentralet dhe nuk shfrytëzon rezervat e naftës. Mungesa e investimeve ka bërë që digat më të mëdha të vendit të degradojnë dhe ndërprerjet e energjisë të jenë të shpeshta.

/tvklan.al






Të ngjashme