Verniku, porta hyrëse e emigrantëve nga Lindja
Verniku po shërben si urë kalimi për emigrantët e paligjshem nga vendet e Lindjes. Fshati ndodhet në afërsi të kufirit me Greqinë. Një nga banorët e zonës thotë se ka takuar dy emigrantë që kishin ecur 4 orë në këmbë dhe i ishin drejtuar kryeqytetit.
“Unë i kisha parë dy çuna të rinj që zbrisnin nga mali, u flas unë shqip dhe ata më tha a di anglisht?
-S’di
-Bilishti ku është?
-Ku do ikni?
-Tiranë, Tiranë, kemi 4 orë më këmbë”.
Nga i njëjti vend, që quhet “shtegu i refugjatëve”, emigrantët nga Lindja vijnë në Shqipëri, me shpresën për të arritur në vendet e BE.
“Refugjatët rrugën e Vërnikut dhe atë rrugën te kodra matanë që i thonë rruga ku ikin refugjatët”.
Trafikantët grekë i sjellin me taksi deri në afërsi të kufirit, dhe më pas shtetasit e huaj vijojnë rrugën në këmbë, duke hyrë në brendësi të territorit tonë. Pavarësisht rritjes së fluksit të emigrantëve të paligjshëm, kufiri i gjelbër, më së shumti, patrullohet në këmbë. Për të parandaluar trafikimin e tyre drejt Malit të Zi dhe Kosovës, policia e Korçës ka ngritur në akset nacionale postoblloqe me shërbim 24 orë.
Tv Klan