Veseli: Nuk do ketë shkëmbim territoresh
Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli garanton se nuk do të ketë ndarje të Mitrovicës, pas interpretimeve që i janë bërë propozimit të presidentit kosovar Hashim Thaçi për korrigjim të kufirit me Serbinë. Veseli i konsideroi anti-kombëtarë, ata që përhapin panik me idetë e shkëmbimit të territoreve.
“Janë zëra që nxisin panik tek qytetarët dhe në këtë mënyrë u shërbejnë qëllimeve të këqija forcave anti-Kosovë. Janë zëra pro-rusë, janë zëra pro-serbë… Mitrovica kurrë, ama, bash kurrë nuk do të preket. Mitrovica ka qenë dhe përgjithmonë ka për të mbetur zemra dhe krenaria e Kosovës. Pa Mitrovicë s’ka Kosovë”.
Duke i dalë në krah presidentit Thaçi, kreu i Kuvendit Veseli shpjegoi se propozimi për t’ia bashkangjitur Kosovës luginën e Preshevës, nuk le të hapur shtigjet për shkëmbim territoresh me Serbinë.
“Nuk e rrezikon Kosovën, të flasë çdo ditë e çdo natë për bashkimin e luginës së Preshevës me Kosovën. Nuk e rrezikon as për të drejtat e tyre derisa nuk e ndal retorikën agresive Serbia për t’a aneksuar Kosovën dhe për ta destabilizuar”.
Kadri Veseli kritikoi ashpër edhe partitë opozitare në Kosovë me rezolutën që i kanë paraqitur Kuvendit për të penguar presidentin Thaçi të flasë për shkëmbim territoresh me Serbinë. Sipas Veselit, opozita po dëmton pozitën e Kosovës në bisedime duke institucionalizuar kërkesa të tilla.
Tv Klan