Veshja e kryeministrit Rama në Londër, “BBC” komenton atletet


Veshja e kryeministrit Rama në Londër, “BBC” komenton atletet

15:34 11/07/2018

Atje është një botë ku e kanë mbyllur me kohë çështjen e lirisë së veshjes si e drejtë themelore e njeriut dhe s’merren me këtë aspekt...

Kështu do e komentonte kryeministri Rama reagimin që ngjalli Korrikun e shkuar paraqitja e tij sportive në Samitin e Triestes. Por duket që gabon në argumentin e tij.  Veshja e kryeministrit Rama, më saktë atletet e tij të bardha që mbante veshur në Samitin e Londrës këtë javë, i kanë bërë përshtypje dhe janë komentuar nga një prej mediave më të fuqishme në botë, Televizioni Publik Britanik.

Në faqen e BBC në Twitter i është kushtuar një video atleteve të bardha të kryeministrit shqiptar, e titulluar: Duket që dikush ka harruar këpucët.

Nuk dihet nëse vërtetë gjatë udhëtimit të tij për në samitin e Londrës, atletet e bardha kanë qenë të vetmet palë në valixhe, por vetë kryeministri kur u shfaq për herë të parë me një palë të ngjashme në samitin e Triestes tregoi se arsyeja kishte qenë pikërisht kjo.

Më kishin vrarë këpucët dhe atletet ishin të vetmet që kisha me vete...

Atletet e kryeministrit Rama janë bërë “të famshme” dhe në rrethin e liderëve europianë. Një palë të tilla ai ka pranuar se ia ka dhuruar Emanuel Macronit ndërsa ka marrë pëlqimin për to dhe nga kancelarja Merkel.

Për herë të parë shefi i qeverisë shqiptare u shfaq me atlete gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare dhe prej atëherë zgjedh t’i veshë pothuajse ne çdo takim, edhe në ato zyrtare të niveleve të larta europiane.

Tv Klan

 

 





Të ngjashme