Vetëm 7 raste të reja me COVID-19 në RMV
Filipçe: Lehtësim gradual të masave
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se në Institutin për Shëndet Publik në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 24 pacientë të shëruar që ishin mjekuar në kushte shtëpiake. Prej tyre, katër janë shëruar në Shkup, katër në Dibër, pesë në Koçanë, tre në Tetovë, tre në Shtip dhe nga një pacient në Strumicë dhe Kumanovë. Numri i të shëruarve në nivel vendi ka shkuar në 224.
Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe në konferencën online për media është shprehur kundër lehtësimit të menjëhershëm të masave, por duke u bazuar në rezultatet e ditëve të fundit të të prekurve, ai rekomandoi lehtësime graduale, kryesisht në kufizimin e lëvizjes së qytetarëve.
Ndërkohë, në raportin ditor të Ministrisë së Shëndetësisë, njoftohet se në Spitalin “8 Shtatori” ka ndërruar jetë një pacient 70-vjeçar nga Llabunishta e Strugës, që çon në 55 numrin e viktimave. Siç njoftohet, ai në gjendje të rëndë ka qenë i shtruar në spital më 8 Prill dhe menjëherë është kyçur në respirator.
Gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar vetëm 7 raste të reja me COVID-19. Tre raste janë diagnostifikuar në Tetovë dhe nga dy raste në Kumanovë dhe Koçanë.
Me këtë numri i përgjithshëm i të infektuarëve shkon në 1231. Shkupi me 411, Kumanova me 340, Prilepi me 117 janë tre qytetet më të prekura në Maqedoninë e Veriut.
Numri i testimeve në nivel vendi, sipas autoriteteve, ka shkuar në 12,340, ku gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 207 teste.
Klan Macedonia