Vetëvendosje e gatshme të qeverisë vendin


Vetëvendosje e gatshme të qeverisë vendin

12:54 20/06/2017

Kandidati për Kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se ky subjekt politik pas dy mandateve si opozitë në Kuvend dhe pas mandatit të parë të qeverisjes në kryeqytet, është i gatshëm të qeverisë vendin.

“Përveç dijes e guximit, programit e kreativitetit, tash e kemi edhe përvojën. Natyrisht, nuk e kemi përvojën e gjatë si të partive të tjera, mirëpo kjo është përparësi për neve meqenëse qytetarët përgjithësisht kanë përvojë të hidhur me qeverisjet e pasluftës”.

“Dhe, ishin pikërisht qytetarët ata që me 11 qershor i ndëshkuan ‘partitë me përvojë’ duke e dyfishuar VETËVENDOSJE!-n dhe duke na ngritur në partinë e parë e duke na rritur në partinë më të madhe në Kosovë. Fundja, dihet se përvoja nuk ka vlerë në vetvete – ajo ka përmbajtje, të mirë ose të keqe”

ka shkruar Kurti në një postim në llogarinë e tij në Facebook.

Sipas tij, mbetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës në opozitë nuk është opsion.

“Mbetja në opozitë e LDK-së dhe mosbashkëpunimi me LV-në, do të thotë thjesht se LDK-ja po heq dorë nga synimi për largimin e Klanit Pronto nga pushteti, e kjo dorëheqje nuk i duhet as vendit e as popullit. Kur ndokush nga zyrtarët e lartë të LDK-së thotë se duan të jenë në opozitë, ata kësisoj vetëm sa inkurajojnë disa deputetë të koalicionit të saj (të cilëve ndoshta fort vështirë u qëndrohet në opozitë) që të shkojnë te PAN-i”.

Nuk mendoj se ky është qëllimi i tyre por e këtillë është pasoja. Njëkohësisht, nuk është korrekte që LDK ta konsiderojë veten po aq larg nga LV-ja sa nga PDK-ja, nëse beson atë që e thotë vetë, pra se shteti i Kosovës vazhdon të jetë shtet i kapur. Le të mos harrojmë që pas zgjedhjeve të 8 qershorit 2014 ne si LV nuk ishim të kënaqur me vendin e tretë, megjithatë u bashkuam në front me koalicionin e atëhershëm LAN kundër regjimit të PDK-së dhe për ndryshimin e kursit të shtetit”

“Prandaj edhe sot, koalicioni i LDK-së me AKR-në, Alternativën dhe Lëvizjen për Drejtësi le të mos jenë shumë të zhgënjyer me vendin e tretë, por t’i kthehen përpjekjes për t’i dhënë fund Klanit Pronto. Duket se edhe në elektoratin e LDK-së ka ndodhur një zgjim: vota e tyre e theksuar për kandidatët që janë shquar me qëndrime kundër Klanit Pronto e ka dhënë porosinë e qartë se si LDK-ja duhet të përcaktohet dhe ia ka vizatuar asaj rrugën që duhet ta ndjekë”

, ka shkruar më tutje ai./

Klan Kosova






Të ngjashme