Vetëvrasja e Brunilda Mekës, Prokuroria merr në pyetje drejtoreshën e ISSH


Vetëvrasja e Brunilda Mekës, Prokuroria merr në pyetje drejtoreshën e ISSH

16:20 06/05/2014 ASSHProkuroria e Korçës ka thirrur dhe marrë në pyetje drejtoreshën e ISSH Ana Verushi. Burime të rezervuara në Prokurorinë e Korçës bëjnë të ditur se Verushi është thirrur dy herë në organin e akuzës, ku ka dhënë shpjegime para prokurorit të çështjes, në lidhje me vetëvrasjen e 52-vjeçares Brunilda Meka.

Të njëjtat burime thonë se Verushi është marrë në pyetje dhe ka dhënë deklarime në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen. Në Prokurori priten të japin deklarime për ngjarjen bashkëshorti i Mekës dhe familjarë të tjerë.

Tre javë më parë punonjësja e ISSH Brunilda Meka i dha fund jetës pas transferimit nga drejtuesit e insitucionit në një zonë 100 km larg Korçës. Familjarët e Mekës akuzuan drejtoreshën Ana Verushi si shkaktare të vetëvrasjes së 52-vjeçares.

Menjëherë pas ngjarjes Prokuroria e Korçës filloi hetimet për veprën penale të shkaktimit të vetëvrasjes.

TV KLAN





Të ngjashme