Vetëvritet në mes të Tiranës besimtarja katolike – (9 Shtator 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Vetëvrasje në mes të Tiranës. Vetëvrasja tipike për luftëtarët kurd, duke u djegur me benzinë, ka marrë sot jetën e një gruaje në mes të kryeqytetit. Ka qenë ora 10:30, kur papritur pranë bustit të Avni Rustemit, tek Pazari i Ri, një grua me një bidon në dorë, laget e tëra me benzinë. Nuk ka vonuar as 2-3 sekonda dhe me flakën e një shkrepëse i vë zjarrin vetes.
Sasia e madhe e benzinës të hedhur në trup nga vetë ajo, ka bërë që flakët ta pushtojnë menjëherë, duke e kthyer në një kufomë të djegur plotësisht. Shoferët e taksive që rrinë tek Pazari i Ri, kanë vrapuar të shuajnë flakët, por trupi i gruas ishte djegur plotësisht. Ardhja e menjëhershme e policisë dhe autoambulancës, nuk bëri asgjë tjetër, veçse transportimit të kufomës në morgun e spitalit.
Ngjarja e rrallë që ndodhi sa hap e mbyll sytë shënon dhe rastin e parë të një vetëvrasje të tillë, e denjë për besimtarët ekstremistë. Pas hetimeve të para policia ka zbardhur një pjesë të krimit të sotëm. E vetëvrara quhej Vitori Llanaj, 48-vjeç nga Tirana. Ajo prej vitesh ndiqte meshat fetare tek kisha katolike, madje merrte pjesë në ceremonitë jashtë kryeqytetit.
48-vjeçarja Llanaj, ishte parë të predikonte edhe në ambientet pranë komisariatit nr.1, me një veshje karakteristike fetare e mbuluar me një mantel të kuq. Por mësohet se viktima kurohej dhe prej 20 vjetësh nga depresioni. Nuk dihen shkaqet se përse 48-vjeçarja Llanaj vendosi t’i jap fund jetës, duke u djegur me benzinë në një ambient publik.
Për policinë e Tiranës, vetëvrasja e sotme shënon edhe herën e parë të këtij lloji. Fakti që Llanaj ishte një besimtare e rregullt, por edhe një e sëmurë psikike, hap disa pista hetimi për vetëvrasjen karakteristike fundamentaliste./tvklan.al
Gazetar – Eduart Frangaj