Vettingu/ Shkarkohet nga detyra prokurori Gentian Trenova
Gentian Trenova prokuror i Apelit të Tiranës njëkohësisht dhe anëtar i Këshillit të Emërimeve në drejtësi nuk ka kaluar provën e Vettingut. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar sot nga detyra Trenovën, prokurori i cili hetoi dhe kerkoi dënimin me burg te perjetshëm të Aldo Bares.
Sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Trenova nuk justifikon pasurinë dhe është gjetur me shkelje edhe në ushtrimin e detyrës në dy raste. Ai ka deklaruar një apartament të blerë në Tiranë, ku në kontratën e parë çmimi ka qenë 40 mijë euro, ndërsa në kontratën e dytë deklarohet 1 milionë e 900 mijë lekë. Veç këtij veprimi ai ka bërë një ndërtim shtesë, për të cilën nuk ka mundësi ligjore ta kryejë.
Ndërsa sa i takon vlerësimit profesional, Trenova pati një debat të fortë me përfaqësuesin e ONM-së Teo Jacobs lidhur me mosfillimin e hetimit nga Trenova për një prokuror. Ai u mbrojt duke sqaruar se ishte Prokurori i tretë që merrte në dorë atë dosje dhe nuk mund të kishte sukses pasi ishte hetuar nga të tjerët para tij. Në një tjetër rast Trenova nuk kishte hetuar pasurinë e një personi të arrestuar në Greqi me drogë.
Pas dhënies së vendimit avokati i tij Sajmir Lame tha: “
Është vendim totalisht i padrejtë dhe i gabuar. Pas dy dekadash kontribut në sistemin e drejtësisë prokurori ka deklaruar një pasuri të vetme një apartament 50 m2, në një godinë të kohës së diktaturës ndërtim i viteve ‘70. Kjo është pasuria e tij e vetme dhe kjo u gjet e papërshtatshme nga komisioni për të kaluar me sukses kriterin e vlerësimit të pasurisë. Nëse as ky standard nuk vlen për të kaluar Vettingun diçka është shumë gabim me metodologjinë që po përdor ky komision. Është për të ardhur keq, sepse Shqipëria nuk e ka luksin që të humbasë njerëzit e tij më të përgatitur në sistem në këtë mënyrë.
Ne mendojmë se jemi të paragjykuar në këtë proces. Përse argumentat që ne dhamë nuk qëndronin. Në sigurisht që do ta apelojmë vendimin. Punonjës të sistemit të drejtësisë kanë punuar pa masë e me ndershmëri dhe sot trajtohen në këtë mënyrë”.
/tvklan.al