Vettingu shkarkon gjykatësin Lulo/ Dedja: Nuk bëjmë dot seancë
Fatos Lulo, është i pari gjyqtar që preket nga Vettingu. Mbrojtja e tij nuk mundi të bindë për burimin e pasurisë së tij Komsionin e Pavarur të Kualifikimit, i cili shkarkoi gjyqtarin kushtetues. Avokati i Fatos Lulos, Ardian Visha deklaroi se vendimi do të ankimohet në Kolegjin e Apelimit, që është shkalla e dytë e gjykimit për gjyqtarët e prokurorët që nuk kalojnë Vettingun.
Menjëherë pas vendimit të parë të komisionit të kryesuar nga Genta Bungo, reagoi kryeministri Rama.
“Të gjithë shqiptarët që e mbështetën fort Vettingun, sot duhet të ndjehen mirë sepse nisja është e mbarë. Pas 17 gjykatësve e prokurorëve që i ikën Vettingut pa filluar, procesi nisi e i pari që u mor në pyetje s’e justifikoi dot pasurinë dhe ra! Jam i bindur s’kemi parë gjë akoma”.
Por largimi i Lulos, fut zyrtarisht në ngërç Gjykatën Kushtetuese. Kjo gjë konfirmohet për Klan Plus nga kryetari i kësaj gjykate Bashkim Dedja.
“Në këtë situatë po, jemi në ngërç, nëse nuk gjendet një zgjidhje tjetër, nga ata që kanë në dorë emërimet, presidenti, kuvendi dhe gjykata e lartë. Praktikisht është e pamundur të bëhen séance gjyqsore dhe mbledhje gjyqtarësh. Por gjykata, në seleksionimin paraprak, do të funksionojë me kolegje, deri në plotësimin e anëtarëve. Çdo çështje që kalon në seancë gjyqësore apo mbledhjen e gjyqtarëve, tashmë nuk mund të zhvillohet më sepse duhen minimum 6 gjyqtarë që të marrin në shqyrtim çështjen, pavarësisht vendimmarrjes”.
Deri sa Kolegji i Apelimit të japë verdiktin final, Fatos Lulo quhet i pezulluar. Edhe pse paguhet me 75% të pagës, nuk lejohet të marrë pjesë në mbledhjet e gjykatës. Aktualisht në gjykatë ndodhen dhe 4 gjyqtarë të tjerë në detyrë dhe 1 që i ka mbaruar mandati. Një zgjidhje për këtë ngërç sipas kryetarit Dedja do të ishte emërimi i gjyqtarëve që mungojnë pa kaluar Vettingun, nëse politika bie dakord, por kjo nuk do të ishte e ligjshme.
Klan Plus
Gazetare: Elona Gjylmi