Vettingu, Xhafaj: Shumë shpejt do të shohim rezultatet e para


Vettingu, Xhafaj: Shumë shpejt do të shohim rezultatet e para

09:46 04/12/2017

Për Ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj lufta ndaj krimit të organizuar, është një sfidë e madhe për të gjithë.

"Krimi i organizuar është një gangrenë që gërryen shoqëritë tona. Ai na detyron të paguajmë kosto të mëdha, demokratike, sociale dhe ekonomike".

Kështu u shpreh ai gjatë fjalës së mbajtur në konferencën e zhvilluar këtë të të hënë për këtë temë.

Ky fenomen kriminal, sipas ministrit, nuk ka më karakter lokal apo thjesht ndërkufitar, ai është shndërruar në një fenomen global dhe ka treguar aftësi të mëdha adaptimi dhe zhvillimi ndaj ndryshimeve politike dhe shoqërore.

Duke folur për operacionin “Forca e Ligjit”, i cili ka si objektiv pikërisht goditjen e grupeve kriminale dhe aseteve të tyre të paligjshme, Xhafaj tha se tashmë faza e katalogimit të grupeve kriminale me të dhënat e tyre ka përfunduar.

"Ka përfunduar faza paraprake, ajo e katalogimit të grupeve kriminale me të dhëna për persona, lidhjet e tyre kriminale, aktivitetet e rënda kriminale të dyshuara se kryhen prej tyre, pasuritë që zotërojnë, investimet ekonomike të bëra me të ardhura nga aktiviteti kriminal, zonat e ndikimit, lidhjet me grupe të tjera jashtë vendit apo mbështetjet e siguruara në vite për të lehtësuar veprimtarinë e tyre".

Xhafaj u ndal edhe tek Vettingu, në polici dhe gjyqësor. Ai u shpreh se shumë shpejt pritet që të shihen rezultatet e para.

"Vetingu në Policinë e Shtetit do na ndihmojë të pastrojmë Policinë e Shtetit nga individë të inkriminuar apo të paaftë. 

Këto nisma vijnë në kohën e duhur, mbështeten dhe janë në sinkron me procesin e Reformës në Drejtësi që ka hyrë në fazën e saj më të rëndësishme: Vetingun në radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve ku presim shumë shpejt të shohim rezultatet e para të këtij procesi, si dhe në fazën e ngritjes së institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë"

.

/tvklan.al






Të ngjashme