Vettingu, zgjedhjet dhe situata në Maqedoni. Ja mesazhet e presidentit Nishani
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani bëri thirrje për transparencë dhe respektim të ligjeve të Kushtetutës në ngritjen e mekanizmave që do të mundësojnë zbatimin e Reformës në Drejtësi. Lidhur me rolin e ONM -së për ngritjen e organeve të Vetting -ut, kreu i shtetit thekson se Kushtetuta kërkon që të huajt të veprojnë sipas marrëveshjeve ndërkombëtare.
“Procesi i Vetting -ut është një proces serioz, është një proces i cili me shumë të drejtë, pikërisht me arsyen për të rritur kredibilitetin dhe besueshmërinë e tij ka paraparë edhe në Kushtetutë, edhe në mënyrën e funksionimit përfshirjen e patnerëve ndërkombëtarë, përmes misionit të Monitorimit Ndërkombëtar, një proces i cili kërkon sipas Kushtetutës, bazueshmërinë në marrëveshjen ndërkombëtare. Unë derë më tash nuk kam dhënë ndonjë autorizim si President i Republikës për ndonjë marrëveshje specifike ndërkombëtare, nuk kam konstatuar në parlament miratimin e ndonjë marrëveshje ndërkombëtare, besoj që aktorët politik vendas bazuar edhe në shqetësimet e Ministrit të Drejtësisë, por dhe në atë që unë kam përcjellë parlamentit si President i Republikës, por edhe patnerëve ndërkombëtarë, që janë angazhuar dhe kanë marrë përsipër përgjegjësitë për të asistuar, do të respektojnë në gërmë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”.
Lidhur me çështjen e zgjedhjeve në prag, kreu i shtetit preferon të qëndrojë jashtë debatit politik, duke dhënë vetëm një mesazh.
“E drejta për të qënë i lirë, për të votuar i lirë është e panegociueshme”.
Pjesa kryesore e intervistës me Presidentin e Republikës përmban mesazhet për situatën në Maqedoni. Presidenti i Shqipërisë bën thirrje që të shmangen deklaratat që nxisin ndasitë mes etnive shtetformuese atje.
“Deklaratat e fundit e disa prej autoriteteve politike në Maqedoni, për fatin e keq janë deklarata të cilat nxisin në mënyrë artificiale, ndasitë dhe urrejtjen ndëretnike, çka është në radhë të parë shumë e dëmshme për vetë Maqedoninë, është e dëmshme për gjithë qytetarët e Maqedonisë dhe është e dëmshme për perspektivën Euro – Atlantike të Maqedonisë”.
Nishani vlerësoi platformën e shqiptarëve, si një angazhim konkret për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Tv Klan