Vëzhgimi/ Si po zhvillohen ceremonitë mortore nën kërcënimin e koronavirusit
Si rrallëherë kryeqyteti shqiptar ka pasur këtë pamje. Trafiku i zhurmshëm që gumëzhin në çdo rrugë të Tiranës, prej disa ditësh i ka lënë vendin heshtjes. Kryqëzime të zbrazëta. Një bulevard bosh dhe postblloqe policore.
Kjo është situata e krijuar pas masave të forta të vendosura nga qeveria, në përpjekje për të frenuar përhapjen në masë të koronavirusit COVID-19.
Pavarësisht kësaj periudhe të jashtëzakonshme dhe gjendjes së vështirë që po kalojnë të gjithë qytetarët shqiptarë, kjo situatë duket të jetë më e dhimbshme për ata që kanë humbur njerëzit e tyre të dashur.
Ceremonitë mortore janë pjesë e ritualeve ku veçanërisht rekomandohet që të bëhet kujdes për shkak të rrezikshmërisë që paraqet virusi COVID-19 në grumbullimet e turmave.
Kjo është situata në varrezat e Sharrës. Nga bisedat që patëm me shitësit e luleve, mësuam se qytetarët kanë shmangur sa më shumë ardhjen, madje edhe në datat përkujtimore të njerëzve të tyre të dashur.
Duke qëndruar në distancë, në respekt të familjes së të ndjerit, ne kemi mundur të filmojmë një ceremoni mortore. Sikurse shihet, edhe pse është një moment i dhimbshëm për të afërmit, këta të fundit janë kujdesur për të zbatuar këshillat e autoriteteve, duke vendosur maska, doreza dhe duke mos qëndruar të grumbulluar.
Vizitat janë të pakta, edhe këto në numër shumë të reduktuar. Për fat të keq, në këto kohë lamtumira e fundit për njerëzit e dashur nuk mund të jepet plotësisht në bazë të zakoneve, duke e bërë heshtjen në varreza edhe më të shurdhër. /klanplus