Video/ Arbër Hajdari rrëfen për herë të parë si nisi “Fundjavë Ndryshe”
Themeluesi i “Fundjavë Ndryshe”, Arbër Hajdari ishte sot i ftuar në emisionin “Kush vjen për drekë” në Tv Klan.
Ai rrëfeu gjatë emisionit se si lindi ideja e kësaj fushate e cila i’u vjen në ndihmë familjeve të varfëra shqiptare.
“Është hera e parë që unë e them në një televizion se si nisi “Fundjava Ndryshe”. Ka lindur në një ditë feste, në festën e Bajramit ku të gjithë njerëzit janë mësuar ta kalojnë në familjet e tyre duke ngrënë, ndërsa unë mendoj se kjo festë ka tjetër kuptim. Atë ditë mora në telefon një shokun tim dhe e pyes se ku mund të shkoja për të marrë ushqim catering dhe vendosa të shkoj nga Njësia numër 4.
Porosita ushqimin, kur shkova ta marr më thanë se nuk do paguaj asgjë. Mora ushqimet dhe lekët të cilat kisha ndarë për ushqimet i mora pije dhe ushqime të tjera në supermarket. Tek Taivani takoj një shokun tim fotograf dhe ai erdhi me mua. Vajta në Njësinë 4 dhe takoj një vajzë të vogël së cilës i thash të më mbledhë fëmijët më të varfër, pas pak minutash vajza solli disa fëmijë. Kemi qëndruar deri në 5 pasdite duke kërcyer derisa zuri shiu.
Kur shkuam në shtëpi shoku im më tha se më kishte bërë disa foto të cilat mendova t’i shpërndaj në rrjetet sociale për t’i bërë thirrje të gjithëve të kontribuojnë. Kështu filloi, për rreth 2 muaj s’ka qenë asgjë publike. Në 27 tetor 2015 vendosa të hap një faqe në “Facebook”, që të kontribuonin të gjithë. Fundjava është sukses i të gjithëve, janë rreth 60.000 njerëz të përfshirë”,
tha Hajdari.
/tvklan.al