Video/ Ardi Veliu: Do të godasim grupet kriminale në Shkodër
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu ka deklaruar se po evidentohen personat e përfshirë në veprimtari kriminale në qytetin e Shkodrës. Gjatë një prononcimi për gazetarët nga qyteti verior, Veliu theksoi se deri tani operacioni “Forca e Ligjit” ka goditur dy grupe kriminale dhe persona të tjerë të dyshuar po mbahen nën mbikëqyrje. Këtë deklaratë, kreu i Policisë së Shtetit e bëri pas prezantimit të Vehbi Bushatit si kreu i Policisë së Shkodrës.
“Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër gjatë vitit 2017 ka patur rezultate të prekshme, qoftë përsa i përket uljes së numrit të bimëve narkotike të evidentuara në krahasim me rezultatet e kaluara. Njëkohësisht ka pasur rezultate të prekshme edhe në goditjen e veprimtarisë së grupeve kriminale, në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”. Me drejtuesit e vendosëm edhe prioritetet dhe objektivat cilat do të ketë Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër për vitin 2018.
Janë objektiva që nuk do t’i ketëm Drejtoria Vendore, por janë objektiva të Policisë së Shtetit. Fokusi kryesor është të vazhdojë pa ndërprerje goditja e veprimtarisë së grupeve kriminale. Prioriteti i dytë do të jetë lufta dhe goditja që do t’i bëhet evidentimit të numrit të personave që kanë ushtruar aktivitetin e kultivimit të bimëve narkotike dhe minimizimi në maksimum të sipërfaqeve të mbjella me bimë narkotike.
Në Shkodër kemi persona të cilët ushtrojnë aktivitet kriminal, të cilët policia është duke i goditur dhe duke i ndëshkuar në bashkëpunim me prokurorinë e rrethit. Deri tani janë goditur dy grupe kriminale. Njëkohësisht është duke u punuar çdo ditë për evidentimin edhe të grupeve të tjera kriminale. Për të goditur një grup kriminal kërkohet edhe kohë, kërkohet edhe maturim, kërkohet edhe gjetja e provave për t’i çuar dosjet dhe gjithë materialet e nevojshme në Gjykatë”,
u shpreh Ardi Veliu.
Drejtori i përgjithshëm i policisë foli edhe për vetingun në radhët e uniformave blu, duke u shprehur se do të verifikohen të gjithë punonjësit, duke filluar që nga vetja dhe nuk do të ketë tolerime për efektivët e përfshirë në veprimtari të dyshimta. /
tvklan.al