“Këngët e Shekullit” edicioni i dytë, nata finale


“Këngët e Shekullit” edicioni i dytë, nata finale

23:18 06/03/2006

Pas 10 javësh me hitet e muzikës shqiptare, edicionit të dytë të spektaklit “Këngët e Shekullit” i erdhi fundi. Si në çdo mbrëmje, këngët i ka shoqëruar orkestra e “Këngëve të Shekullit” me dirigjent Robert Radojën. Natën finale e hapi këngëtarja e njohur Liljana Kondakçi e cila interpretoi këngën “Unë dhe shokët e mi”. “Herën e parë që jam ngjitur në skenë kam kënduar këngën “Tekstilistes”, kompozuar nga Vasil Mema. Kam patur emocione të mëdha sepse e kisha ëndërr të merrja pjesë në festival”, tregoi Kondakçi.

Këngëtari i dytë që interpretoi ishte po ashtu një i ftuar. Kozma Dushi këndoi sëbashku me Eranda Libohovën këngën “Nuk iu zemërova Pranverës” me muzikë të Luan Zhegut dhe poezi të Arben Dukës.

“Pragu i vegjëlisë” ishte po ashtu një tjetër duet që u interpretua nga këngëtarët Redon Makashi dhe Ermira Babaliu. Një tjetër surprizë e natës finale ishte edhe dueti mes Redon Makashit dhe nënës së tij, Drita Makashi të cilët interpretuan për herë të parë bashkë këngën “Serenatë për nusen”. “Kafe Flora” ishte kënga e radhës interpretuar nga këngëtarja Lindita Theodhori dhe Orgesa Zaimi e Samata Karavella.

Aleksandër Gjoka ishte i ftuari i radhës i cili interpretoi këngën “E doni dashurinë” krah këngëtares Evis Mula. Arta Babaramo dhe Tonin Tërshana ishin dy të ftuar të tjerë në natën finale të spektaklit “Këngët e Shekullit”, ku Babaramo interpretoi një nga krijimet më të bukura të Tërshanës të titulluar “Manushaqja”.

“Kur vjen Pranvera” u interpretua nga këngëtarja Mira Konçi dhe Produkt 28. Sofia Kolgjini dhe Mersona Kaçe ishin 2 të ftuara të tjera të cilat interpretuan “Këngët e rinisë” së bashku me këngëtarin Luan Zhegu. Ajo ka kënduar një hit në vitet 70-të “Ja ti je veshur ushtarake” të cilën Puntore Mançi e rinterpretoi edhe një herë në “Këngët e Shekullit” sëbashku me Anjeza Shahinin.

“Qeshu rini” ishte një tjetër këngë që u interpretua nga këngëtari Gjergj Leka dhe Eneda Tarifa. Vikena Kamenica dhe Sherif Merdani interpretuan një këngë hit të viteve më parë “Djaloshi dhe shiu”. Ema Qazimi ishte e ftuara e radhës në “Këngët e Shekullit” e cila interpretoi krah Xhejsi Jorgaqit dhe Vesa Smolicës këngën “Nën yje prisnim vitin e ri”.

Myfarete Laze nuk mund të mungonte në natën finale të spektaklit “Këngët e Shekullit” e cila interpretoi me këngëtaren Anjeza Shahini këngën “Shoqet tona ilegale”. Anita Take po ashtu ishte e ftuar në “Këngët e Shekullit ku interpretoi krah vëllezërve korçarë, Endri dhe Stefi Prifti.Grupi “Lira” dhe Mariza Ikonomi interpretuan këngën e njohur  “Kur më vjen burri nga stani” të cilët me interpretimin e tyre dhe së bashku me të gjithë artistët e tjerë mbyllën natën finale të edicionit të dytë të spektaklit “Këngët e Shekullit”.

 /tvklan.al






Të ngjashme