Video/ Arratiset dhe fshihet në pus, i riu përfundon në spital
Një ngjarje e pazakontë ndodhi këtë të mërkurë në qytetin e Gjirokastrës, protagonist i së cilës ishte një 24-vjeçar, i cili u arratis nga ambientet e Gjykatës.
Pasi kërkoi të shkonte në tualet, Saimir Ahmeti i kërkoi policit që e shoqëronte t’i zgjidhte duart. Sapo u lirua, ai e shtyu efektivin e policisë, më pas rojen e gjykatës dhe doli nga dera që përdoret për të futur të arrestuarit.
Autoritetet u vunë menjëherë në kërkim të të riut dhe rreth dy orë më vonë, në orën 14:02, 24-vjeçari nga fshati Vanë i Delvinës, u ndalua.
Burimet zyrtare sqaruan se Ahmeti, për t’i shpëtuar policisë ishte fshehur në një pus në lagjen “Partizani” të Gjirokastrës.
Duket se kjo nuk ishte ide e mirë, pasi i riu shfaqi probleme shëndetësore, ndaj dhe përfundoi në spital për kontroll mjekësor.
Ai mësohet se akuzohej për përndjekje dhe në seancën që do të zhvillohej këtë të mërkurë, kërkonte ndryshim të masës së sigurisë.
/tvklan.al