Video/ Bllokimi i 13 personave në Valias, banorët: Pamë tmerr me sy
“Ndodhemi në Valias të Ri dhe siç mund ta shikoni është e pamundur të depërtohet për shkak të ujit në rrugë”.
13 familjarë, mes tyre 5 fëmijë, si dhe 3 efektivë të shërbimit zjarrfikës mbeten të bllokuar për disa orë, gjatë tentativës për t’u evakuuar si pasojë e përmbytjes.
“Nuk e di mirë si janë bllokuar, një tmerr. Janë bllokuar kanalet komplet, nuk janë hapur kanalet
“, rrëfeu një prej banorëve të zonës.
“Janë lajmëruar të gjithë, edhe nga forca mbështetëse, sepse ka nevojë për makina të larta për të evakuuar”,
u shpreh Prefektja e Tiranës, Suzana Jahollari, e cila ndodhej në vendngjarje për të ndjekur nga afër situatën.
Për evakuimin e të bllokuarve u desh ndërhyrja e fadromave dhe mjeteve të larta të ushtrisë.
Reshjet e shumta të shiut kanë shkaktuar situatë alarmante në shumë zona të kryeqytetit.
Një situatë e rëndë u shkaktua dhe në autostradën Tiranë – Durrës, pranë Qafë Kasharit, ku dhjetëra makina u bllokuan në trafik dhe u desh ndërhyrja e forcave të ushtrisë me mjetet e lundrimit për evakuimin e personave të bllokuar.
Situata u shfaq e rënduar edhe në një qendër tregtare në Tiranë, ndërsa për shkak të përmbytjes së nënstacionit elektrik të Kasharit, gjysma e Tiranës mbeti pa drita.
Burimi: KLAN PLUS
Gazetar: Spartak Koka