Video/ Dalin pamjet, kontrollet e policisë në Kukës në mes të natës
Ish-Kryeministri Sali Berisha ka publikuar video të kamerave të sigurisë nga një lokal në Kukës, ku duken efektivët e policisë duke ushtruar kontrolle në orën 03:00 të mëngjesit të së dielës.
Në një postim në Facebook, Berisha i konsideron “bastisje banditeske”. Sot 23 persona janë arrestuar në Kukës nga policia pas urdhrave të Prokurorisë, për akuzat e shkatërrimit të pronës me zjarr dhe kundërshtim të forcave të policisë.
Efektivët ishin stacionuar që mbrëmjen e djeshme në Kukës pas protestës së dhunshme në Kalimash, ku qytetarët u konfrontuan me policinë dhe shkatërruan e dogjën kabinat e pagesës së tarifës në Rrugën e Kombit.
Lulzim Basha, në një konferencë për shtyp mbrëmjen e së shtunës, i kërkoi Kryeministrit Edi Rama që të hiqet “shtetrrethimi” në Kukës. Shefi i qeverisë i ka konsideruar “vandalë që do të përballen me ligjin”, ndërsa opozita dhe Këshilli Bashkiak i Kukësit kërkon lirimin e protestuesve të arrestuar. Para Komisariatit të Policisë së Kukësit u mblodhën turma qytetarësh duke kërkuar gjithashtu që të ndaluarit të lihen të lirë.
/tvklan.al