
Video/ Francezët mbrojnë familjen shqiptare, nuk lejojnë policinë që ta kthejë në Shqipëri
Një veprim për t'u përshëndetur ai i qytetarëve francezë që i kanë dalë në krah një familje shqiptare në Perpignan të Francës, për të mos lejuar deportimin e saj. Familja Mitaj, e cila mbahet në arrest shtëpie nga autoritetet franceze, rrezikon kthimin pas në Shqipëri.
Ditën e djeshme (e mërkurë), autoritetet shkuan për të marrë 4 anëtarët e familjes Mitaj (nëna, babai dhe dy fëmijët 10 e 16 vjeç) dhe për t'i shoqëruar në aeroport, ku do të merrnin fluturimin për në Shqipëri. Por, rreth 100 persona u mblodhën përpara hotelit ku po mbahet kjo familje, duke mos lejuar autoritetet që të hynin për t'i marrë. Mes tyre ishin edhe 30 mësues. Njëri prej tyre, Sebastien Saque, mësuesi i gjeografisë, kishte marrë me vete edhe dëftesën e Amarildës, një nga fëmijët e çiftit Mitaj. Amarilda 16 vjeç kishte dalë me nota të shkëlqyera dhe mësuesi i saj kundërshtonte dëbimin e 16-vjeçares."Ekziston një padrejtësi e dukshme. Është një familje që ka dëshirë vërtetë për t'u integruar"
, thotë ai. Ndërsa mësuesja e matematikës, Sabrina Nouni shtoi:"Përveç kësaj, ka prova të pakundërshtueshme për rreziqet me të cilat do të përballen nëse kthehen në Shqipëri. Nuk e kuptojmë pse kjo dëshmi nuk merret parasysh".
Sipas informacioneve mediatike, kryefamiljari Mitaj është përballur me një tentativë vrasje në Shqipëri. Për shkak se mbahen nën arrest shtëpie, familja Mitaj duhet të paraqitet çdo të mërkurë në polici në orën 14:00. Qytetarët francezë të komunitetit ku ata jetojnë, kundërshtojnë dëbimin e familjes shqiptare dhe mblidhen përpara hotelit ku qëndrojnë për të penguar autoritetet që t'i marrin. Brenda 48 orëve, janë mbledhur më shumë se 4400 firma përmes një peticioni në internet, që kundërshtojnë deportimin e familjes Mitaj.
/tvklan.al