Video/ Pamjet e plota, ja si ndodhi grabitja në 2 minuta
Televizion Klan siguron pamjet e kamerave të sigurisë, të momentit kur ndodhi grabitja e rreth 1 milion eurove, të një banke, në aeroportin e Rinasit. Siç duket nga pamjet dhe informacioni i siguruar nga hetimi në orën 14:20 të së enjtes, në vendndalimin e avionit të një linje ndërkombëtare, përballe tij ndodhet makina e blinduar e shoqërisë “Nazeri – 2000”, që kishte të ngarkuara paratë e transportuara. Aty ndodhet dhe një makine e dytë që shoqëron avionët e linjave pas uljes për në vendndalimin e tyre.
Dy minuta të tjera më pas, në 14:24, makina “Benz” e grabitësve mbërrin aty dhe parkon vetëm 20 metra larg nga makina e parave. Nga makina tip “Benz” del një prej autorëve, i cili fillimisht shkon tek blindi i një kompanie tjetër sigurie që kishte sjellë lekët e një banke tjetër të nivelit të dytë, blind ky që ishte i mbyllur.
Autori më pas drejtohet në derën e hapur në krahun e djathtë të makinës se blinduar të kompanisë “Nazeri” ku ndodheshin paratë dhe punonjësi i bankës që ishte dhe shofer.
Në këto moment, makina e shërbimit të koncesionarit të aeroportit, TIA, niset dhe largohet nga vendi ku po qëndronte prej minutash, duke mos njoftuar as policinë. Autori kalon në krahun tjetër të makinës se blinduar ku ishin paratë, nga pjesa e përparme e saj. Në këto moment një grabitës i dytë del nga makina tip “Benz” dhe i vjen në krahun e djathtë të makinës së blinduar.
Në këtë kohë para makinës së blinduar, vjen një makinë e shërbimit kargo te koncesionarit të aeroportit të Rinasit, TIA. Ndërsa dy grabitësit kryenin grabitjen, asnjë person nuk del apo vepron nga makina e kargos të koncesionarit të Rinasit, TIA. Me thasët me para dy persona largohen në drejtim të makinës së tyre.
Pasi të dy grabitësit hyjnë në makinën tip “Benz”, atëherë mjeti i shërbimit kargo lëviz dhe bën përpara ku më pas autorët largohen për në pjesën fundore të aeroporti nga ku dalin qetësisht. /TV KLAN