Video: Publikohen pamjet e Berluskonit në zyrën e tij
I demotivuar – është fjala që mund të përshkruajë Silvio Berlusconin, para largimit si kryeministër i Italisë, 7 vite më parë. Këtë e tregon qartë ky videoregjistrim i fshehtë kryer në zyrën e tij në vitin 2011, nga disa vajza që kishin shkuar në zyrën e tij për t’i kërkuar të ndërhynte tek i biri, president i Mediaset-it, i cili nuk pranonte t’i punësonte. Berluskoni përgjigjej se gjithçka ishte e pamundur dhe tashmë ai ishte i pafuqishëm.
“E keni parë së ç’më bëjnë? Unë kryeministri i Italisë…”
Ish-kryeministri u ankohet vajzave se të gjithë i ishin vënë kundër për t’a rrëzuar nga pushteti, përmes proceseve gjyqësore.
“Gjeta tre gjyqtarë komunistë. Tani kam zbuluar se dy prej tyre shkruanin për Luftën e Vazhdueshme dhe dhanë një verdikt për të më rrënuar.”
Berlusconi ankohet edhe për padrejtësitë që i janë bërë, duke e etiketuar si politikanin e orgjive.
“Unë jam goditur më shumë nga të gjithë. Pas një jete pune jam shkatërruar, sepse jam ai i ‘bunga-bungës’. Gjithçka tjetër që kam bërë si burrë shteti, si politikan, kam evituar luftën mes Rusisë e Gjeorgjisë, janë harruar.”
Videoregjistrimi i publikuar së fundi nga mediat italiane është paraqitur si provë materiale për rastin e prostitutës minorene nga Maroku të njohur me nofkën “Rubi”, për të cilën Berlusconi u akuzua se e kishte bërë pjesë të orgjive të tij.
Tv Klan