Video/ Recetat me peshkun skumbri dhe fituesi i puntatës së sotme në “Black Box”
Gara e shefave, te “E diela shqiptare” po bëhet gjithmonë më e ndjekur dhe e pëlqyer nga teleshikuesit.
Ashtu siç shpjegon edhe drejtuesi i emisionit Ardit Gjebrea në garë janë tetë shefa, të cilët në katër javë ndeshen me njëri tjetrin, secili prej tyre ka grumbulluar pikë por ata nuk janë përfundimtare, sepse të tetë shefat do kalojnë provën edhe të mishit edhe të peshkut. Në katër javët e ardhshme shefat që kanë gatuar mish do të gatuajnë peshk dhe anasjelltas. Garuesit e kësaj puntate vijnë nga restorante dhe hotele prestigjioze në Shqipëri. Pjatat e tyre u vlerësuan nga juria e përbërë nga një prej shefave italianë më të famshëm të kulinarisë botërore, gjyqtar ndërkombëtar dhe instruktor i gjyqtarëve të garave të gatimit në botë, Domenico Maggi, si edhe dietologia Blerina Bombaj Troci. Pjatat e gatuara nga shefat u vlerësuan në katër aspekte, shija, organizimi, aspekti estetik dhe ekuilibri ushqimor. Dy shefat, Artion Kurti dhe Arialdo Merko përgatiten për të bërë atë që ata dinë të bëjnë më mirë: të gatuajnë. Përbërësi sekret i puntatës së sotme, ishte peshku skumbri. Ndërsa shefat marrin tre minuta kohë për të përgatitur recetat e tyre, shef Maggi, anëtar i jurisë shpjegon arsyen e përzgjedhjes së këtij përbërësi. Shef Artioni zgjedh ta gatuajë peshkun skumbri të filetuar, të marinar me hudhra me erëza. Më pas përgatit një lloj salce me speca, pomodorini, erëza. Receta e tij përmban, peshk skumbri, erëza, hudhër, speca, domate, bukë e thekur. Ndërsa shef Arialdo, zgjedh një recetë me peshk skumbri, ullinj, finok, portokall, bukë e thekur. Pas përzgjedhjes së recetave ata marrin 20 minuta kohë për të ekzekutuar pjatat e tyre gjithmonë me këshillat e dy anëtarëve të jurisë. Blerina Bombaj Troci vlerësoi me 13 pikë Artionin, dhe 14 pikë Arialdon. Ndërkohë vlerësimi përfundimtar nga të dy anërtarët e jurisë shpalli fitues, shef Arialdon me 92 pikë nga 100 të mundshme./tvklan.al