Video/ Samir Mane realizon ëndrrën e fëmijëve
"Sot është dita e surprizave, mbi të gjitha në këtë studio kur ne japim premtime duhet t'i mbajmë ato. Pikërisht rasti që do të rikujtojmë nga "Ka një mesazh për ty" lidhet me një nga premtimet që në kemi mbajtur dhe si e kemi mbajtur do ta ndjekim në vijim. Le ta ndjekim së bashku rastin dhe më pas aksionin që kemi bërë".
Një nga kërkesat më të veçanta të "Ka një mesazh për ty" ishte dhe ajo e nxënësve të klasës së pestë nga fshati Blinisht i Lezhës. Të shpallur kampionë të leximit, pasi për një muaj, secili nxënës i klasës kishte lexuar 24 libra, ata kishin ardhur për të thirrur në program drejtoreshën e bibliotekës së qytetit të Lezhës. Me një makinë të vogël të përshtatur si një bibliotekë lëvizëse, drejtoresha shpërndante libra artistikë në të gjitha shkollat rurale të Lezhës. Por për disa muaj, librat u kishin munguar të vegjëlve të fshatit të Blinishtit. Realizimi i premtimit filloi që në studio, duke qenë se programi përkoi me fushatën kombëtare të leximit "Takohemi për një libër". Ministria e Kulturës dhuroi libra, por ende një sfidë e madhe mbetej përpara. E për ta çuar deri në fund këtë ëndërr, Ardit Gjebreas i erdhi në ndihmë një tjetër mik i mirë, biznesmeni Samir Mane./tvklan.al