Video | Si digjet mali mbi tunelin e Kalimashit
Zjarret kanë përfshirë të gjithë vendin tonë, duke përfshirë Kukësin. Një qytetar ka sjellë për rubrikën “Kallëzo” për tvklan.al pamje nga momenti i zjarrit në malin mbi tunelin e Kalimashit. Siç duket, flakët janë përhapur pothuajse si në vijë të drejtë në një gjatësi të konsiderueshme.
Ministria e Mbrojtjes njoftoi mbrëmjen e së enjtes se në Kukës ka rënë zjarr në fshatin Kalis dhe se vatra po mbahej nën kontroll. Problematike situata raportohej në Majën e Rrunës, ku flakët kishin përfshirë pjesën më të madhe të malit. Megjithatë, MM njoftoi se po punohej për të mbajtur nën kontroll situatën që të mos rrezikohen banesat.
Si paraqitet situata në zonat e tjera?
Ministria e Mbrojtjes raportoi se në Karaburun vijon puna për shuarjen totale të flakëve edhe pse është mbyllur pjesa më e madhe. Në Gjirokastër situata është stabilizuar. Mbetet aktive një vatër në fshatin Saraqinisht, e cila nuk paraqet rrezik.
Edhe zjarri në fshatin Gadurovë, në Mallakastër është nën kontroll dhe pa rrezikshmëri. Zjarri në fshatin Cukal, në Shkodër vijon të jetë aktiv, por pa rreziqe të evidentuara. Në malin e Shëngjinit, në Lezhë vatra është izoluar./tvklan.al