Video/ Tahiri: Mirëpres çdo vendim, nuk pres ta gjej të drejtën në parlament
Ish-Minsitri i Brendshëm dhe deputeti i PS-së, Saimir Tahiri, ka theksuar të mërkurën se mirëpret çdo vendim të parlamentit lidhur me imunitetin e tij dhe kërkesën e prokurorisë për arrestim, si të dyshuar për përfshirje në trafik droge dhe korrupsionin e zyrtarëve të lartë.
“Këtu janë betuar shumë për pafajësi, kështu që unë do jua kursej çdo fjalë timen lidhur me këtë. Jam shumë i bindur askush nga ju nuk ka kohë për të humbur, unë aq më pak. E mbi të gjitha unë nuk pres ta gjej të drejtën dhe të vërtetën time këtu në Sallën e Parlamentit, por aty ku më takon, para drejtësinë dhe të gjithë qytetarëve. Kështu që e mirëpres çdo vendim tuajin, cilido qoftë ai, rruga për të gjetur drejtësinë nuk ndalet dot”
, tha Tahiri. Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur për të vendosur fatin e Tahirit. Në votim do të hidhen dy raportet e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve, njëri prej të cilëve i heq imunitetin dhe i jep autorizimin Prokurorisë së Krimeve të Rënda të arrestojë ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Sipas rregullores së Kuvendit, nenit 118 të saj, kërkesa e prokurorisë vendoset si pikë e parë të rendit të ditës dhe raporti i Këshillit të mandateve nuk bëhet me debat, ndërsa votimi për të bëhet i fshehtë. Ndërkohë që Tahiri fliste në Kuvend, deputetët e opozitës hapën pankarta me mbishkrimet “Qeveri Mafioze”, “Qeveri e Krimit”, “Qeveri e Drogës” etj. /tvklan.al