Video/Facebook shfaq live plagosjen e 3 personave
Një video e ngarkuar në livestream-in e Facebook shfaq momentin e plagosjes së 3 personave.
Kjo ngjarje ka ndodhur në momentin kur përdoruesi i Facebook, TJ Williams ka qenë duke realizuar videon, në të cilën shfaqet ai së bashku me dy djem të tjerë në makinë, duke pirë duhan dhe duke dëgjuar muzikë. Papritur është qëlluar me armë zjarri në drejtim të tyre dhe telefoni ka rënë. Në video mund të dëgjohen rreth 30 të shtëna, ndërsa fotot nga skena tregojnë vrima plumbash në anën e makinës. Kalimtarët kanë thirrur shërbimet emergjente dhe janë përpjekur të ndihmojnë të plagosurit përpara se të mbërrinte ambulanca. Sipas policisë në Norfolk, Virxhinia, të shtënat kanë ndodhur të martën në mbrëmje, në periferi të Berkley. Pas mbërritjes në vendngjarje, oficerët e policisë kanë gjetur brenda automjetit tre personat të cilët kishin mbetur të plagosur nga të shtënat me armë zjarri. Tre të plagosurit të cilët ishin rreth moshës 27-29 vjeç janë dërguar menjëherë në spitalin e përgjithshëm në Sentara Norfolk për të marrë ndihmën mjekësore. Policia më vonë konfirmoi se dy prej tyre kishin marrë plagë të rënda dhe ishin në rrezik për jetën. Ky nuk është rasti i parë që ngjarje të tilla shfaqen live në Facebook. Një javë më parë një grua filmoi vrasjen e partnerit të saj që u qëllua për vdekje nga efektivët e policisë në Luiziana të SHBA -së, ngjarje që shkaktoi protesta masive./tvklan.al