Vidhet shtëpia e Icardit, hajdutët marrin sende me vlerë 400 mijë Euro
Surprizë e keqe për Mauro Icardin dhe gruan e tij, Wanda Nara. Sipas gazetës franceze “L’Equipe”, shtëpia e tyre në Neuilly-sur-Seine u grabit të shtunën në mbrëmje.
Vjedhja mësohet se ka ndodhur gjatë kohës që sulmuesi gjendej i grumbulluar me skuadrën e PSG në ndeshjen e humbur 3-2 përballë Lorient.
Gazeta franceze shkruan se kriminelët kanë marrë objekte me vlerë totale prej 400 mijë Eurosh. Dyshohet se nga shtëpia u morën sende të ndryshme si bizhuteri, ora dhe rroba. Ishin shërbëtoret e lojtarit ata që zbuluan grabitjen mëngjesin e së hënës.
Policia franceze ka nisur hetimet për identifikimin e autorëve, teksa ka sekuestruar kamerat në banesën e sulmuesit argjentinas.
Klan News