Vijojnë protestat e dhunshme në Francë
Kundërshtohet ligji që ndalon filmimin e policisë gjatë kryerjes së detyrës
Mijëra njerëz vijojnë protestat në Francë për të dënuar brutalitetin e policisë dhe projektligjin e ri të sigurisë që favorizon mbrojtjen e policisë mbi lirinë e shprehjes. Protestuesit u vunë zjarrin barrikadave, koshave të plehrave, kioskave, bareve dhe disa makinave. Gjatë përleshjeve u lënduan 37 policë dhe dhjetëra protestues.
Policia hodhi granata lotsjellëse dhe përdori shkopinj gome. Ministri i Brendshëm Gerard Darmanin dënoi “dhunën e papranueshme ndaj policisë”. Ai vlerësoi se numri i protestuesve në mbarë Francën ishte 133.000, prej të cilëve 46.000 vetëm në Paris, por organizatorët pretendojnë se ishin afër gjysmë milioni nëpër sheshe.
Protestat antiqeveritare u konsideruan të paligjshme duke pasur parasysh praninë e koronavirusit, megjithatë, një gjykatë administrative franceze e rrëzoi këtë vendim, duke e lejuar mbajtjen e tyre. Gjatë protestës në Paris ishin të pranishëm jelekëtverdhët, së bashku me sindikatat dhe organizatat e të drejtave të njeriut.
Protestuesit i dërguan një mesazh forcave të zbatimit të ligjit dhe qeverisë, se të drejtat e njerëzve nuk mund të dhunohen nga policia. Protestat nisën pasi Asambleja Kombëtare miratoi projektligjin gjithëpërfshirës të sigurisë. Pjesa e diskutueshme është neni 24, që ndalon bërjen e fotografive të policisë gjatë kryerjes së detyrës dhe shpërndarjen e këtyre imazheve në internet dhe në media.
Shkelësit mund të përballen me një dënim me burgim prej një viti dhe një gjobë prej 45.000 eurosh. Projektligji do të shkojë në Senat në Janar për shqyrtim, ndërsa shihet si afrim i Presidentit Macron me të djathtën ekstreme, në kërkim të votave për një mandat të ri presidencial.
Klan Plus