Vijon operacioni për drogën e Hasit
Prej më shumë se 24 orësh, Policia e Shtetit në bashkëpunim me agjencitë partnere është duke vijuar operacionin antidrogë, që zbuloi një laborator të përpunimit dhe prodhimit të heroinës në Brenog të Hasit. Për shkak të dinamikës së operacionit dhe shtrirjes së tij edhe jashtë Shqipërisë, policia ka zgjedhur të mos ndajë asnjë informacion zyrtar për detaje mbi sasinë e drogës së sekuestruar, apo identitetet e personave të arrestuar.
Burime jo zyrtare saktësojnë se deri më tani janë në pranga 5 persona, por pritet që ky numër të rritet. Mes tyre janë Xhevit e Mustafë Shuti, si edhe Flamur Çela, punonjës i zjarrfikëseve në Shkodër.
Puna vijon për lokalizimin dhe arrestimin e të paktën 5 personave të tjerë të identifikuar, të dyshuar si të përfshirë në këtë veprimtari. Mësohet se sasia e narkotikut e kalon peshën e 100 kilogramëve, ndërsa janë sekuestruar edhe pajisje dhe mjete që ndihmonin në përpunimin e drogës.
Nga ana tjetër laboratori vijon të konsiderohet një skenë krimi. Perimetri i tij është i kufizuar dhe ruhet nga efektivë të forcave të policisë.
Ndërhyrja në laborator është bërë pas një hetimi disa mujor, gjatë të cilit ka pasur shkëmbim informacioni me agjencitë partnere. Lënda e parë dyshohet se ka mbërritur në Shqipëri në rrugë tokësore nga vendet e Lindjes së Mesme dhe se pas përpunimit, ajo do të trafikohej në vende të Europës Perëndimore.
Tv Klan