Vijon përplasja PS – LSI, Vasili i kthen përgjigje Majkos: LSI është korrekte
Kjo deklaratë e deputetit Pandeli Majko e ka trazuar më tej koalicionin PS – LSI. Petrit Vasili ka reaguar duke thënë se LSI ka qëndruar gjithnjë korrekte ndaj koalicioit dhe nuk e ka kushtëzuar pushtetin e Kryeministrit Rama apo Partisë Socialiste.
“LSI ka qenë një forcë shumë korrekte në raportet e saj me koalicionin dhe ky qëndrim ka qenë i qartë edhe në tavolinat e nivelit më të lartë të koalicionit, por edhe në të gjitha nivelet e tjera të komunikimit ku unë kam qenë i pranishëm edhe personalisht. LSI dhe Ilir Meta nuk kanë vënë asnjëherë kushte apo kushtëzime pushteti ndaj Edi Ramës dhe PS-së. Por ka pasur vetëm një kusht, që është vendosur nga LSI për PS-në para zgjedhjeve të vitit 2013 dhe ai ishte që Partia Socialiste, në opozitë në atë kohë, të votonte tre ligjet që ishin detyrim i integrimit evropian, pasi ekzistonte shqetësimi i madh se në rast se koalicioni PS-LSI nuk do të arrinte 84 vota, Berisha do të bënte të njëjtën gjë duke penguar procesin e integrimit evropian të vendit. “
LSI- thotë Vasili në reagimin e tij, ka patur edhe herë të tjera qëndrime të kundërta me PS apo edhe me aleatë të tjerë të mëparshëm, për çështje të rëndësishme shtetformuese. Ai garanton vazhdim me korrektësi të bashkëpunimit të LSI –së në koalicionin qeverisës dhe e fton atë dhe të tjerë drejtues e përfaqësues të Partisë Socialiste që t’i drejtohen Kryetarit Meta për të komunikuar drejtpërdrejt me të.
“Unë besoj akoma që z. Majko bën pjesë në atë plejadë socialistësh që nuk e kanë harruar kredon: të sakrifikojmë pushtet për të bërë shtet. Deklarimi i z. Meta dhe gatishmëria e plotë për të komunikuar në çdo nivel qoftë edhe të grupeve parlamentare për çështje të koalicionit besoj që e shteron edhe këtë merak të mikut tim, Majko, ku theksoj edhe një herë se korrektesa e LSI-së në bashkëpunimin e saj politik do jetë e pandryshuar sikurse dhe gatishmëria për të dëgjuar çdo shqetësim që Majko apo kushdo tjetër mund të ketë.”
Vasili shpreh bindjen se Majko është i painformuar për diskutimet në nivele të larta të koalicionit. Por Majko nuk është i vetmi deputet që flet për mosfunksionim të bashkëpunimit mes PS e LSI.
Fatmir Xhafa, kryetari i grupit të posaçëm të Reformës shprehu pak ditë më parë të njëjtin qëndrim.
Tv Klan