Vijon procesi Shullazi/Gjykata rrëzon dy kërkesa të avokatëve
Në procesin gjyqësor kundër Emiliano Shullazit dhe të bashkakuzuarve të tjerë me të, Gjykata e Krimeve të Rënda në seancën e sotme rrëzoi dy kërkesa të palës mbrojtëse. Avokati i Gilmando Danit dhe Endrit Zelës i kërkoi gjykatës të kërkojë si provë të dhënat nga sistemi TIMS për hyrje-daljet e biznesmenit Ylvi Beqjes për periudhën Nëntor-Dhjetor 2014.
Sipas avokatit, në 5 raste Ylvi Beqja se bashku me Gilmando Danin apo Endri Zelën kanë lëvruar çeqe në shuma të konsiderueshme nga llogaria e kompanisë “Saudit Brother”, përfaqësues i së cilës ishte Beqja. Në të njëjtën ditë, sipas pretendimeve të palës mbrojtëse, biznesmeni ka dalë nga Shqipëria drejt Malit të Zi ose Italisë.
Avokati pretendoi se Beqja ka dërguar para të thata jashtë vendit për llogari të veprimtarive të tij të jashtëligjshme. Kërkesa e palës mbrojtëse u rrëzua nga gjykata. Gjithashtu në seancën e sotme u rrëzua edhe kërkesa për dërgimin e një letërporosie në Malin e Zi për pasuritë e biznesmenit Beqja në këtë vend./abcnews.al