Vijon spastrimi në Turqi, pezullohen nga detyra rreth 8 mijë policë
Autoritetet në Turqi kanë pezulluar nga detyra rreth 8 mijë oficerë policie në të gjithë vendin, përfshirë Stamboll dhe Ankara, pas dyshimeve për lidhje me grushtin e dështuar të shtetit.
Lajmi u bë i ditur nga një zyrtar turk mbi sigurinë për Agjencinë e Lajmeve Reuters. Ndërkohë numri i të arrestuarve ka shkuar në 6 mijë. Ata janë anëtarë të sistemit gjyqësor dhe ushtarak, përshirë gjeneralë, të akuzuar si pjesë e grushtit të shtetit. Presidenti Recep Tayyip Erdogan u zotua se do të pastrojë organet shtetërore nga “virusi” që shkaktoi revoltën. Qeveria turke pretendon se pas komplotit për të rrëzuar qeverinë qëndron kleriku Fethullah Gulen. Ky i fundit i ka mohuar me forcë këto akuza. Televizioni Shtetëror raportoi ditën e sotme se më shumë se 100 gjeneralë dhe admiralë janë arrestuar në operacione të shtrira nëpër gjithë vendin. Ndërkohë, 8 ushtarakët që u arratisën me helikopter drejt Greqisë do të dalin para gjykatës të mërkurën, ku do të përballen me akuzën e futjes në mënyrë të jashtligjshme në territorin helen. Duke folur para turmës së mbështetësve gjatë ditës së diel, Presidenti Erdogan tha se do të merrte në konsideratë rikthimin e dënimit me vdekje. Dënimi kapital u hoq në 2004, si pjesë e përpjekjeve të Turqisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Në vend nuk është ekzekutuar asnjë njeri që prej 1984 – ës. Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme në Bashkimin Europian, Federica Mogherini, duke folur para takimit me Ministrat e Jashtëm të BE dhe Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, në Bruksel, tha se nuk ka asnjë lloj justifikimi për çdo hap që do të marrë Turqia, që është jashtë rrugës së ligjit dhe se ministrat e jashtëm do të përcjellin “një mesazh të fortë” në lidhje me këtë. /tvklan.al