Vit i kthesës për ekonominë botërore
2010-a parashikohet të jetë viti gjatë të cilit ekonomia botërore do të dalë nga kriza që përjetoi vitin që lamë pas, e cilësuar si kriza më e rëndë që nga koha e depresionit të madh në vitet 30.
Ky vit nisi me një hapje pozitive të bursave ndërkombëtare dhe me një rritje në çmimin e tregtimit të arit të zi. Për të dytën ditë me rradhë, tregjet financiare u çelën me fitim dhe optimizëm pas të dhënave se ekonomia amerikane po vazhdon të rimëkëmbet.
Pas kësaj kthese tregjet amerikane edhe bursat në Azi kanë shënuar rritje. Nikei u rrit me 0.3 %, Hang Seng me 1.9, ndërsa Shangai me 1.1. Edhe çmimet e tregtimit të arit të zi dhe gazit kanë shënuar rritje.
Për vitin 2010 parashikohet që ekonomia amerikane të vazhdojë të rritet, edhe pse në mënyrë graduale. Në pjesën më të madhe të vitit që sapo ka nisur rritja pritet të variojë në 2 deri 2.5 %.
Ndryshe nga SHBA, Europa dhe Japonia do të kenë një rritje ekonomike më të ngadaltë, pasi pësuan krizë më të thellë. Parashikimet tregojnë se eurozona dhe Britania e Madhe do të rriten 0.9 dhe 0.8 % gjatë vitit 2010. Disa ekonomi të tjera si Islanda, Irlanda dhe Spanja do të vazhdojnë të bien për shkak të paqëndrueshmërisë në tregun e pasurive të paluajtshme.
Japonia nga ana tjetër do të shënojë një rritje me 1.4 %. Normat bazë të interesit në grupin e G8 do të vazhdojnë të mbeten shumë të ulëta. Rezerva Federale, Banka Qendrore Europiane, Banka e Anglisë dhe ajo e Japonisë nuk do të rrisin interesat bazë përpara tre mujorit të tretë të vitit 2010.
Gjatë këtij viti parashikohet gjithashtu që stimujt fiskalë të shënojnë rënie. Me kalimin e krizës, ekonomitë e mëdha jo vetëm që do të heqin dorë nga paketat stimuluese, por disa janë të vendosura të rrisin kontrollin mbi sistemin bankar. Edhe pse 2010-a ka nisur me një rritje në çmimin e naftës, pritet që përpara pranverës ky çmim nga 80 $ për fuçi që është aktualisht, të bjerë në 65, për t’u rritur sërish në 70 $ në fund të vitit.
Problematik dhe gjithmonë një shqetësim për xhepat e konsumatorëve, inflacioni apo rritja e përgjithshme e nivelit të çmimeve, nuk do të jetë një problem për këtë vit. Në pjesën më të madhe të ekonomive, norma do të jetë stabël. Thënë ndryshe, një normë papunësie në rritje, do të kufizojë rritjen e çmimeve.
Presione inflacioniste do të ketë vetëm në ekonomitë që po rriten shpejt, sidomos në ato aziatike. Monedha e gjelbër do të japë shenja rimëkëmbjeje. Duke parë të dhënat pozitive të ekonomisë amerikane, krahasuar me ato të Europës dhe Japonisë, pritet që Dollari amerikan të kthehet në binarë, fenomen që do të ndodhë sidomos në tregjet në zhvillim, në të cilat nuk besohet se do të ketë rritje të mëdha të ekonomisë. Përballë këtyre parashikimeve pozitive, shanset që ekonomia të bjerë edhe gjatë këtij viti janë 1 në 5.
Tv Klan