Viti i Ri, kryeqyteti zgjohet mes plehrave
Dita e parë e Vitit të Ri 2010 ka filluar e qetë në kryeqytetin shqiptar. Gjatë paradites rrugët kanë qenë pothuajse të boshatisura. Përgjumja e qytetit dhe banoreve ka nisur të dalë gjatë mesdites, kur edhe një sërë biznesesh, kryesisht bare dhe kafene, janë hapur për qytetarët.
Ashtu si edhe vitet e kaluara plehrat kanë qenë dekori i shëmtuar i kësaj dite në Tiranë. Mbeturinat e braktisura gjatë mesnatës kanë vijuar edhe gjatë ditës të mbushin rrugët e kryeqytetit.
Krahas policisë, pa ndalesë kanë punuar spitalet dhe qendrat e urgjencës. Fatmirësisht në kryeqytet festimet gjatë ndërrimit të viteve nuk kanë regjistruar asnjë rast serioz lëndimi.
Mjekët e urgjencës pranë Qendrës Spitalore Nënë Tereza pohojnë se këtë vit janë dyfishuar rastet e djegieve nga përdorimi i fishekzjarreve. Megjithatë pas ndihmës mjekësore të lënduarit kanë lënë ambientet e kësaj qendre.
Tv Klan